Pashkët e këtij viti i gjejnë besimtarët katolikë në izolim për shkak të koronavirusit. Lutjet e Papa Franceskut drejtuar zotit në fund të muajit mars nga sheshi komplet i zbrazët i Shën Pjetrit bënë xhiron e botës pak javë më parë. Besimtarët nuk mund të ndjekin më meshat, pasi të gjitha aktivitetet fetare janë pezulluar, deri në një urdhër të dytë.
Paraditen e sotme, kisha e Shën Domenikut në Durrës ishte komplet e zbrazët. Aty ndodhej vetëm atë Bernard Caruana, famulltari i kësaj kishe. Zbrazëtinë e kishës e ndjejnë të parët njerëzit e zotit, pasi më shumë se kurrë, këto ditë, ata do të dëshironin që objektet fetare të ishin të mbushur me besimtarë. Kontaktin nga afër, e kanë zëvendësuar me kontaktin virtual në rrjete sociale.
“Kisha është e hapur gjatë paradites për besimtarët që kërkojnë t’i luten zotit. Këto ditë kemi fuqizuar komunikimin me rrjetet sociale. Famullia jonë gjithmonë ka vlerësuar përdorimin e rrjeteve sociale si dyer të së vërtetës dhe fesë, si hapësira të reja ungjillizimi. Prandaj, në këto ditë që na mungon më shumë se kurrë kontakti njerëzor. mundohemi të qëndrojmë të bashkuar me kontaktin virtual”,– tha At Bernardi për DurrësLajm.
Për famulltarin e kishës Shën Domeniku kjo periudhe karantine dhe izolimi duhet t’u shërbejë të gjithë shqiptarëve, besimtarë apo jo për të forcuar lidhjen me zotin. At Bernardi thekson se të gjithë jemi vëmë në një sprovë të veçantë gjatë këtyre 4 muajve të fundit, në fillim tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas Covid-19.
“Kjo periudhë izolimi na bën të reflektojmë më shumë mbi ekzistencën tonë, mbi jetën tonë. Si po jetojmë, çfarë po jetojmë, ku duam të shkojmë? Është momenti që të gjithë ata që nuk besojnë të pyesin veten nëse zoti po kërkon diçka të veçantë prej nesh. Ndërsa besimtarët të forcojnë edhe më shumë besimin tek krijuesi”, tha At Bernardi.
Ndërsa urimi i tij i veçantë për Pashkët është mesazh gëzimi, ashtu siç është edhe simbolika e kësaj feste mjaft të rëndësishme në kalendarin e besimtarëve katolikë.
“Pashkët janë momente gëzimi dhe momente shprese për të gjithë. Mos të harrojmë që Pashkët e para, kur Jezusi fitoi ndaj vdekjes janë kremtuar pikërisht në ambiente të mbyllura. Ju uroj të gjithë besimtarëve dhe jo vetëm, të gjithë durrsakëve Pashkë të mbara dhe të mira dhe të jenë vërtet këto Pashkë një hov për një entuziazëm më të gjallë”, e mbylli urimin e tij At Bernardi.
E Premtja e Zezë dhe Pashkët janë ngjarje me rëndësi universale për besimtarët e krishterë, sepse janë të lidhura me idenë e shpresës, e ringjalljes. Pavarësisht se e zbrazët, kisha katolike e Shën Domenikut ishte e mbushur plot lule, ku dominonin ngjyrat e bardhë dhe e verdhë, si për të treguar se pavarësisht koronavirusit që ka mbyllur gjithë planetin brenda mureve të shtëpisë, ringjallja dhe shpresa janë ende shumë të forta në zemrat e njerëzve.
M.B.





