Ngec në trafik Kryeministri Edi Rama dhe eskorta e tij

DURRËS, 26 janar 2015 –  Të hënën, më 26 janar 2015, autostrada Durrës-Tiranë, në të dy kahet e saj, si dhe unaza tjetër e plazhit, që lidh veriun me jugun e vendit, u bllokuan për disa minuta, në orën 11:00 paradite. Makinat janë fikur dhe në rrugët e Shkozetit, Plazhit dhe Spitallës. 

Ishin simpatizantët e PD-së, që fillimisht fikën makinat e tyre në rrugë e për 

Simpatizantët e PD-së, gati 30 minuta para, ishin grumbulluar në dy pika pranë Urës së Dajlanit, në autostradë dhe në dy pika të tjera te mbikalimi i ish-Kënetës e rrethrrotullimi i Shkozetit, me  automjetet e tyre. 

Në orën 10:58 ata kanë ndezur makinat e kanë dalë në rrugë, duke i fikur ato deri në orën 11:9. Më pas drejtuesit e mjeteve kanë dalë nga makinat e tyre dhe kanë qëndruar në rrugë, ndërsa protesta është monitoruar nga mbikalimi i ish-Kënetës nga titullarët vendorë të PD-së. Për pasojë, në të dy krahët e autostradës së vendit radha e automjeteve shkoi deri në 2 kilometra. 

Në segmentin Durrës-Tiranë, u pa edhe eskorta e makinave të kryeministrit Edi Rama. Rreth orës 10 e 30, kreu i Ekzekutivit përfundoi një veprimtari në doganën e Durrësit, dhe në orën 11 i është drejtuar kryeqytetit. Por, sapo ka lëmë urën e Dajlanit në drejtim të Tiranës, eskorta e Ramës është ndeshur me trafikun në rrugë, si pasojë e protestës. Shoferë që gjendeshin të bllokuar në këtë segment thanë se eskorta kishte tentuar të kalonte para, por ishte e pamundur, më pas u orvat të dilte mbrapsht, por ka qenë e pamundur. 

Në orën 11:9, pas deklaratave për mediet, kreu i degës Osman Stafa u dha urdhër simpatizantëve të PD-së të lironin rrugën, duke e konsideruar të mbyllur e të realizuar misionin e protestës. Në fund të karvanit të automjeteve të bllokuara ka qenë edhe eskorta e kryeministrit, e cila ju drejtua Tiranës në përfundim të protestës.  

Në protestë morën pjesë deputetët blu të qarkut të Durrësit, Eduart Halimi dhe Igli Cara, etj., të cilët fikën automjetet në rrugë. 

Deputeti Eduart Halimi deklaroi, ndër të tjera:

“Kjo protestë kundër rritjeve të taksave është e para e një pranvere protestash në mbarë vendin, që do të kulmojnë në 21 qershor. Është reagimi i parë që po shkon në drejtim të politikave të gabuara të qeverisë e të dyshesh Rama-Meta, që vijojnë me rritje taksash për qytetarët, me rritje të faturave të energjisë elektrike, rritje çmimesh etj. Si një protestë e parë, është paqësore dhe kështu do të vijojmë  në javët e ardhshme. Kjo do të quhet pranvera e protestave paqësore që do të jenë të vrullshme dhe me pjesëmarrje të gjerë qytetare, deri në 21 qershor”.

Kryedemokrati bregdetar Osman Stafa tha: 

“Protestën do të donim ta organizonim në rrugët e qytetit të Durrësit, por rrugët prej disa javësh janë tërësisht të bllokuara si pasojë e punimeve që kryhen. Rrugët të në Durrës u bënë disa javë që janë kthyer në tmerrin e qytetarëve të Durrësit si pasojë e trafikut të rënduar. Nuk donim të bllokonim tërësisht lëvizjen e qytetarëve e për këtë zgjodhëm autostradën”.  

Bllokim të përkohshëm të trafikut pati dhe autostrada Fushë Krujë – Lezhë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuuan k. h. & m. b. & n. h./