Çahet dhe grupi i “baballarëve” të djathtë të qytetit në votimin për buxhetin: një pro dhe një abstenim

DURRËS, 24 tetor 2013 –Me të drejtë, një grupim brenda degës së opozitës kërkoi zgjedhje të reja për këshillin bashkiak të qytetit të Durrësit, i cili kishte 10 muaj që nuk mblidhej, për pasojë, me ligj, ishte i vetëshpërndarë. Këtë ide e ka artikuluar fillimisht grupi i këshilltarëve demokratë në muajin prill kur i kanë kërkuar ish-prefektit të PD-së Genc Juka t’i drejtohej kryeministrit të PD-së Sali Berisha, që e kishte kompetencë. Kuptohet, Berisha heshti, pasi në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit nuk i kishte me vete aleatët e LSI-së. Por politikën e hollë të liderit të tyre historik nuk e kuptonin krerët vendorë të selisë blu. Ndërkohë, pas disfatës së 23 qershorit, kur edhe PD-ja në Durrës u “fut në ujë”, u zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e madh të PDSH-së pas vetëlargimit të Berishës. Këtu plasën sherret. Një gazetë vendore on-line afër grupimit të Sokol Olldashit botonte editorialin “Pse të djathtës i duhet Olldashi?” Por, pas votimit, doli se të djathtës në Durrës “i duhej” Lulzim Basha!

RRJEDHJA

Humbja më 23 qershor dhe fitorja e njeriut të Berishës ndezën më tej mosmarrëveshjet në parti. Sërish del në skenë çështja e këshillit bashikak dhe këshillit të qarkut. Janë “olldash”-sat që bien nga “fiku” i Qarkut. Sërish ky grupim e ngre problemin e zgjedhjeve të reja për këshillin bashkiak disa ditë para rokadës në kreun e tij dhe zëvendësimit të këshilltarëve të djathtë të Durrësit në qark. Gazeta afër PD-së e sulmon këshillin si të paligjshëm. U bojkotua mbledhja nga PD-ja. Por më 22 tetor erdhën sërish. Çuditërisht, u “harrua” paligjshmëria e “parlamentit”. Edhe gazeta vendore e heq shkrimin nga faqja. Me sa duket, këtu mund të ketë ndikuar ndonjë heqje veshi nga Tirana, pasi Bashës nuk i interesojnë zgjedhjet e reja në kryeqytet, për rrjedhojë, edhe në Durrës. Çdo kërkesë për zgjedhje këshillash bashikakë çon ujë në mullirin e së majtës. Thjesht, humbja e së djathtës do të ishte dukshëm më e madhe, gjë që do të rrënonte më tej PDSH-në dhe Bashën. Është për t’u vënë dukje fakti siptomatik se në mbledhjen e 22 tetorit të “parlamentit” të qytetit të Durrësit 2013 pati rrjedhje votash “blu” për buxhetin: një pro dhe një abstenim.

KAZANI”

Duket që kazani zien. Ka shumë kandidatë për kryetar të degës së PD-së. Njerëzit e Bashës po punojnë me anëtarë të sapoardhur në qytetin bregdetar. Veteranët dhe themeluesit e PD-së, qofshin pro-Bashës, pro-Olldashit apo pro një të treti, po tërhiqen mënjanë. Kjo do të thotë kosto elektorale në të ardhmën. Edhe në Durrës kërkohet një dorë përbashkuese të së djathtës. Krahut të moderuar dhe qytetar asnjë nga deputetët e Durrësit nuk ua mbush syrin, për shkak të përdorimit që po u bën Basha apo Berisha. Këta dy-tre deputetë nuk shquhen për nivel intelektual dhe autoritet, po t’u referohemi medieve qendrore, që jo pak i kanë shpërfillur.  

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/