Këshilltarët e PD dhe LSI bashkojnë votat dhe rrëzojnë me fuqinë e kartonit paketën fiskale me ndryshimet e propozuara nga bashkia Durrës për taksat dhe tarifat vendore.

Me 20 vota kundër të këshilltarëve të PD dhe LSI-së, 19 pro dhe një abstenim u rrëzua drafti i paketës fiskale.

Në fillm të mbledhjes, këshilltarët e PD-së propozuan zerimin e taksave vendore në fshatra, ku nuk ofrohet asnjë shërbim nga bashkia.

"Për taksën e ndriçimit, për taksën e gjelbërimit si dhe taksën e pastrimit e largimit të mbeturinave për banorët e fshatrave të Durrësit, jam dakort që të pranohet propozimi i bërë, pasi kjo është kërkuar me shkrim nga grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike para një viti, pra të bëhen zero. Gjithashtu kërkoj që të bëhet zero edhe taksa e parkingut për fshatrat. Propozoj që këto taksa të bëhen zero edhe për zonën e ish-Kënetës dhe zonat e tjera periferike të qytetit, ku nuk ka ndriçim, gjelbërim dhe parkingje" tha këshilltari demokrat Shkëlqim Fortuzi.

Në të njëjtën linjë ishin edhe këshilltarët e LSI-së, të cilët thanë se taksat vendore nuk mund të vendosen apriori duke u ndalur veçanërisht tek taksa mbi pasurinë, e cila ka ndryshuar me vendim qeverie.

Drejtori i tatim taksave në Bashkinë Durrës, Abdyl Koka dha sqarimet përkatëse për draftin e hartuar.

Ndërkohë, këshilltari demokrat Armand Teliti shtroi pyetjen nëse do të merren parasysh propozimet dhe vërejtjet e bëra nga këshilltarët e PD dhe LSI.

Kur u hodh në votë kjo pikë e rendit të ditës, bashkimi i votave të PD dhe LSI hodhi poshtë draftin e paketës fiskale.

K.H.