· “Le të puthen, le të puthen demokratët-socialistët”/ Votim njëzëri, “blu” dhe “mavi”, për dy projektvendimet
· PS-ja e kontrolluar nga z. Vangjush Dako synon diversionin tek e djathta një vit para zgjedhjeve për pushtetin vendor
DURRËS, 17 nëntor 2014 – “Hija e Bankos” – Sokol Olldashi vazhdon të turbullojë një vit pas vdekjes partinë më të madhe opozitare, duke bërë të shpërthejnë hapur divergjencat në degën e PD-së bregdetare, teksa një pjesë qytetare e degës së PD-së bregdetare guxon të afishohet publikisht para SHQUP-it si përkrahëse e të ndjerit Sokol Olldashi dhe e ish-Presidentit të Republikës z. Alfred Moisiu, me të cilin u ndesh disa herë z. Sali Berisha.
PROTAGONIST I MENDIMIT DHE VEPRIMIT DEMOKRATIZUES
Më 17 nëntor 2014, në mbledhjen urgjente të Këshillit të Bashkisë, këshilltarët e PD-së kanë kërkuar të mos mbetet anonim apo meritë e kryebashkiakut z. Vangjush Dako propozimi për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” Sokol Olldashit, lindur dhe një nga krijuesit e degës partisë së parë opozitare në Durrës (17 dhjetor 1972-20 nëntor 2013) dhe 84-vjeçarit të lindur në Shkodër z. Alfred Moisiu.
Pika e parë e rendit të ditës ishte projektvendimi “Për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z. Sokol Olldashi (pas vdekjes).
Drejtori i Arsimit, Kulturës, Sportit, Rinisë, Komuniteteve Fetare në bashki z. Ardian Gurra lexoi motivacionin:
“Protagonist i mendimit dhe veprimit demokratizues të Shqipërisë gjatë më shumë se dy dekadave të fundme, që u shqua për guxim e qytetari në formulimin dhe promovimin e alternativave të zhvillimit dhe që u kthye në modelin e përfaqësuesit të denjë të qytetarisë rreth këtyre vlerave”.
BASHKAUTORËSIA
I menjëhershëm reagimi i kryetarit të grupit të këshilltarëve blu, ish-administrator i përgjithshëm i Hekurudhës Shqiptare sha, z. Zamir Ramadani, i cili u ankua pse nuk u përmend autorësia e propozimit, që i takonte grupit të PD-së.
U sqarua pastaj se në relacion përmendeshin si “bashkautor” PD-ja, shoqata “Durrësi” dhe kryebashkiaku z. Vangjush Dako.
Këshilltari blu, ish-prefekt i Durrësit dhe drejtor drejtorie në ministrinë e Kulturës kur ishte në krye z. Ferdinand Xhaferaj, z. Klodian Pajuni ka falënderuar propozuesit dhe administratën e Bashkisë për shpejtësinë e treguar për hartimin e projektvendimit dhe mbledhjen e ngutshme, duke thënë se “është në nderin tonë të votojmë pro”.
Ky projektvendim u miratua njëzëri nga të djathtë dhe të majtë.
GJUAJTJE ME “SPONT” NDAJ Z. BERISHA
Votim njëzëri pati dhe për projektvendimin nr. 2 “Për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z. Alfred Moisiu”, me motivacionin:
“Pasues i shquar i një prej familjeve më të njohura atdhetare dhe kulturore në Shqipëri, që dëshmoi karakter e fuqi ndryshimi në të gjitha periudhat e jetës së tij, duke u dhënë autoritet detyrave dhe funksioneve që kreu dhe duke u spikatur si shëmbëlltyrë e çdonjërit nga ne edhe në detyrën e kryetarit të shtetit”.
Shprehja se z. Moisiu ka qenë “shëmbëlltyrë e çdonjërit nga ne edhe në detyrën e kryetarit të shtetit” është një gjuajtje elegante me “spont” e të dy grupeve ndaj z. Sali Berisha që ka sulmuar ashpër ish-kryetarin e shtetit.
Mësohet se ka mundësi që edhe z. Bamir Topi ta propozojnë dhe votojnë njëzëri për “Qytetar Nderi” të Durrësit, që siç thotë vet ish-pasuesi i z. Mosiu, Durrësin e ka dashur shumë!
Bie në sy se nga PD-ja kishte ardhur e tëra, kurse nga PS-ja pati mungesa.
JA PSE KY “KOLABORACIONIZËM”
Siç thotë kënga e famshme e kosovares Gili e vitit 1999 “Le të puthen, le të puthen demokratët-socialistët”, konsensusi PD-PS dëshmon për dy gjëra.
Së pari, një pjesë e degës së PD-së së Durrësit çoi “mesazhin” se nuk pajtohet me mënyrën sesi SHQUP-i, z. Lulzim Basha dhe Z. Sali Berisha janë sjellë dhe vazhdojnë të sillen, si me të ndjerin Olldashi, ashtu dhe me ish-presidentin Moisiu (ky i fundit nuk ka ndonjë kontribut në Durrës).
Së dyti, PS-ja e kontrolluar nga z. Vangjush Dako, synon të bëjë diversion tek e djathta një vit para zgjedhjeve për pushtetin vendor.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





