4 shtator 2015 – Kryetari i opozitës së dyfishtë (parlamentare e vendore) të qytetit bregdetar Osman Stafa e mban fjalën që dha para disa ditësh, teksa padit në prokurori kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako për ndotjen e ajrit.

Ethet që kanë përfshirë degën e PD-së për analizën e rezultatit katastrofik në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, kanë vënë në lëvizje klanet e ndryshme. Duke ndier rrezikun për faturimin që mund t’i bëhet partisë, Stafa, dhe pse jo përgjegjës kryesor për dështimin, po mundohet të bëhet i gjallë. SHQUP-i do koka turku dhe nuk bëhet fjalë për Grida Dumën, as për Edmond Spahon. Kjo e ka detyruar, me sa duket, kryetarin e selisë vendore blu Osman Stafa të denonconte, më 27 gusht 2015, para medieve, ndotjen e mjedisit në rrethrrotullimin që lidh autostradën Tiranë-Durrës me fshatin e Shënavlashit, kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrë, Spitallën, të kthyer në një vend grumbullim mbetjesh urbane. Stafa paralajmëroi, si në shumë raste të tjera, se do t’i drejtohet prokurorisë për të denoncuar krimin mjedisor që po ndodh në këtë zonë.

Më 4 shtator 2015, ora 13:45, në llogarinë e vet në FB Stafa ka botuar në formë statusi kallëzimin penal në ngarkim të Dakos:

Kallëzim penal

Kallëzuesi: Osman Stafa, kryetar i Partisë Demokratike, Dega Durrës.

I kallëzuari: Vangjush DAKO, kryetar i Bashkisë Durrës.

Objekti: 1. Dënimin e të kallëzuarit për kundërvajtjen penale të ndotjes së ajrit, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal të RSH; 2. Dënimin e të kallëzuarit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Baza ligjore: nenet 201 dhe 248 të Kodit Penal; neni 283 i Kodit të Procedurës Penale.

Drejtuar: Prokurorisë së rrethit Durrës.

I nderuar Z. Prokuror,  në mënyrë të përsëritur, nga banorë të zonës, kemi pasur ankesa dhe jemi vënë në dijeni se pranë Porto Romanos digjen në mënyrë të vazhdueshme plehrat e qytetit të Durrësit, duke ndotur ajrin përmes çlirimit të tymrave, gazrave lëndëve të tjera, të cilat janë toksike dhe që shkaktojnë re të zeza tymi shumë të rënda, dhe që e kthejnë praktikisht zonën aty, në të pajetueshme. Çdo ditë në këtë zonë digjen tonelata me plehra, që sigurisht, kalojnë çdo normë apo kufij të lejuar të ndotjes në mjedis.

Nga të dhënat tona, rezulton se, si pasojë e djegies së plehrave dhe ndotjes tej mase të ajrit, janë sëmurë me diagnoza të ndryshme respiratore me qindra banorë të zonës.

Pas ankimeve të shumta të banorëve në adresë të Kryetarit të Bashkisë së Durrës, Z. Vangjush Dako, por edhe instancave të tjera shtetërore, si edhe duke qenë se ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me shqetësimet e tyre, banorët na janë drejtuar edhe ne si Parti Demokratike.

Nisur nga fakti i një indiferentizmi total nga strukturat përkatëse shtetërore dhe konkretisht edhe nga kryetari i Bashkisë Durrës, Z. Vangjush Dako, ju kërkojmë hetimin e plotë e të pavarur të një krimi mjedisor që në mos i ka sjellë, do të sjellë pasoja tepër të rënda në jetën dhe shëndetin e njerëzve që jetojnë në këtë zonë, si dhe ndërprerjen e menjëhershme të djegies së plehrave aty, për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Kryetari i Bashkisë Durrës, Z. Vangjush Dako, me veprimet ose mosveprimet e tij si Kryetar i Bashkisë Durrës, ka urdhëruar ose lejuar djegien e plehrave, e për pasojë, ndotjen e ajrit në zonën e Porto Romanos dhe gjithë Durrësit, duke ndotur kështu ajrin tej normave të lejuara dhe të parashikuara në legjislacionin mjedisor shqiptar, si dhe në Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

Gjithashtu, gjykojmë që kryerja ose moskryerja me dashje e këtyre veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës nga kryetari i Bashkisë Durrës, duke qenë se ato kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetasve, banorë të zonës së Durrësit, dhe në veçanti Porto Romanos e zonave përreth, etj.

Për këto arsye, bazuar në legjislacionin në fuqi, kërkojmë: 1. Dënimin e të kallëzuarit për kundërvajtjen penale të ndotjes së ajrit, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal të RSH; 2. Dënimin e të kallëzuarit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Me respekt, kryetari i PD, Dega Durrës: Osman Stafa.

/portali “DurresLajm”/