14 korrik 2015 – Shyqyr që opozita në qytetin bregdetar nuk punoi si grupseksioni i Manzës, pranohet në shtabin elektoral të PS-së. Ndryshe rezultati nuk do të ishte i tillë. Selia qendrore në kryeqytet ende nuk po e përtyp dot humbjen në Durrës. Lidershipit të SHQUP-it, i shkëputur nga realiteti, po i duket sfinks ky qytet. I paparashikueshëm. Një nga bastionet e së djathtës, nga më qytetarët e vendit, tejet pro-perëndimor, që vendoste baraspesha midis kryebashkiakut dhe “parlamentit” të qytetit. Më shumë se humbja e Fierit, që me gjithë “pykën” e PSD-së, mbetet i majtë, analizat më me gjak të ftohtë PD-së i takon t’i bëjë në Durrës, duke lënë mënjanë sentimentalizmat.
Diferencat minus të Dakos në kutitë e votimit të ish-qytezës së minatorëve ka të bëjë me angazhimin e disa figurave intelektuale me reputacion në elektoratin e Manzës, thonë të majtët me respekt. Bashkia e Manzës është e vetmja njësi vendore në Durrës, ku pati një votë të unifikuar. Kandidatja Grida Duma pati rreth 380 vota më tepër se Dako, ndërsa PD-ja doli forcë e parë politke me rreth 570 vota diferencë nga PS-ja. Në Ishëm, PD-ja shfrytëzoi me zgjuarsi pakënaqësinë e banorëve ndaj kryetarit në detyrë të komunës, duke i kthyer në vota kundër ndaj Vangjush Dakos (u përhapën fjalë se kryetari i komunës do të jetë sërish administrator). Po ashtu, heqja e kryetarit të PS-së së Ishmit nga posti i drejtorit rajonal të Postës, ka ndikuar në fitoren e vogël të PD-së. Në Manzë e Ishëm nuk pati ndërhyrje nga shpura e SHQUP-it ndaj strukturave të bazës, gjë që i mobilizoi vendasit për të ndihmuar Dumën.
Kurse në PD-në e madhe të qytetit bregdetar pati “jetërsim”, njëfarë shkrehjeje, apatie, që e ka provuar më parë në kurriz “vendaliu” Ferdinand Xhaferaj. Në Durrës nuk mund të aplikosh tangarllikun e atyre që u duket vetja se po zbarkojnë nga disk fluturues për të pushtuar mendjen dhe zemrën e votuesve bregdetarë. Mënyra se si u veprua me drejtues dhe veteranë të degës duke i shmangur nga fushata apo aktiviteti partiak, shkaktoi pakënaqësi. Pati rrudhje buzësh dhe për listën e këshillit bashkiak.
Shpura e Dumës u pa si “muhaxhirë” Tirane.
U krijua një mendësi mes militantëve të djathtë: “Më mirë me Gjushin, çunin tonë të Durrësit, që gjithsesi do të na e hapë derën kur t’i trokasim dhe pse kundërshtarë, se sa me Gridën; kjo qysh tani i ka bërë dalje durrsakët”. Shumë të zgjedhurve në forumet e PD-së u dukej sikur ua kishin grabitur partinë.
“Analiza duhet të bëhet mbi dinamikën e lëvizjes së votës, e kalimit drejt së kuqes, të arsyeve së ndodhjes së këtij fenomeni dhe përpara se të tregohen me gisht qytetarët e Durrësit si votëshitës, të drejtojmë gishtin ndaj vetes duke pranuar ato ç’ka nuk kemi bërë mirë apo që nuk kemi bërë fare. Analiza e arsyeve të këtij rezultati nuk mund të fshihet pas blerjes së votës, ushtrimit të pushtetit administrativ, makinerisë propagandistike apo pushtetit të parasë. Kushdo që kandidon apo ka marrë pjesë në një fushatë çfarëdo, e di që të gjitha këto janë fenomene që ndodhin në fushatat shqiptare. Durrësi ka treguar që është njëkohësisht edhe qyteti i pragmatizmit edhe qyteti i idealizmit dhe, kur mungon ky i fundit, nuk mund të ankohemi pse vota shkon në kahun e gabuar”, thotë jo pa dhembje ish-kryetari i forumit rinor të PD-së, Rezart Kthupi.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/