·        Selia qendrore e opozitës në Tiranë nuk guxon të prononcohet

·        Kryetari i ri i degës bregdetare akuzon LSI-në për blerje votash, por me sa duket nuk e di se z. Hysen Gashi mandatin e fundit e ka fituar nën flamurin e Metës, pas rezervave të mëdha që ka pasur z. Sali Berisha, që e ka dhënë dy herë për ndjekje penale

 

DURRËS, 19 korrik 2014 –  Ndryshe nga SHQUP-i që nuk ka guxuar të prononcohet, kryetari i sapozgjedhur i degës së PD-së bregdetare, financues i bustit të Azem Hajdarit në Durrës, z. Osman Stafa, e ka konsideruar ndjekjen penale ndaj kryetarit të komunës së Rrashbullit, z. Hysen Gashi si “arrestim të pastër politik”, pas të cilit fshihen qëllime “sa të afërta dhe të largëta”.

Z. Stafa është një figurë e re e opozitës, që mundohet të jetë i baraslarguar midis ish-kryetarit historik, z. Sali Berisha dhe pasuesit të tij z. Lulzim Basha, duke i vlerësuar të dy me nota maksimale dhe se po mundohet të bashkojë të gjitha kontributet, duke hedhur poshtë zërat për ekzistencë klanesh, që ai i quan lobingje.

Kryedemokrati i Durrësit nuk ngurron të pranojë në periodikun e njohur vendor të Durrësit “Bulevard” se rrjedhja e votës në zgjedhjet e 23 qershorit 2014 ka ardhur edhe “si pasojë e arrogancës së disa drejtuesve të PD në shërbimin ndaj qytetarit”.

Por duke mbrojtur kryekomunarin e Rrashbullit, z. Stafa përmend litarin në shtëpinë e të varurit, duke deklaruar se është bërë “deformimi i vullnetit të zgjedhësit nëpërmjet blerjes së votës nga LSI-ja”.

Kryetari i ri i opozitës vendore, z. Osman Stafa mund të mos jetë i informuar se z. Gashi është arrestuar tri herë, nga të cilat dy herë në kohën e PD-së në pushtet, ndërsa mandatin e fundit e ka fituar nën flamurin e LSI-së, pas rezervave të mëdha që ka pasur z. Sali Berisha.

Madje, sipas arkivit të sajtit të LSI-së (shih faksimilen e marrë nga http://www.lsi.al/index.php?option=com_content&view=article&id=1386:kryetari-i-levizjes-socialiste-per-integrim-21&catid=10&Itemid=137&lang=AL), në prill 2011, prezantimin e z. Gashi e ka bërë personalisht kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/