DURRËS, 30 qershor 2013 – Drejtoresha e Shëndetit Publik Lida Boshku ka pushuar nga puna dy punonjës të këtij institucioni vetëm katër ditë pas zgjedhjeve, raporton gazetari dhe botuesi Artur Llana në të përditshmen “TemA”.
Dhurata Meta dhe Endri Ziu janë larguar nga puna me datën 27 qershor, pra vetëm katër ditë pas përfundimit të zgjedhjeve.
Justifikimi zyrtar, sipas drejtueses, ishin shkurtimet e vendeve të punës, po kjo nuk është e vërtetë për dy punonjësit e larguar.
Këta të fundit janë shprehur se motivi i shkarkimit të tyre ka qenë ndryshe nga ai zyrtar që i është komunikuar: “Jemi ndjerë të befasuar nga shkarkimi dhe aq më shumë nga arroganca me të cilën jemi përballur kur kemi kërkuar arsyet e shkarkimit. Drejtoresha në vend të arsyeve, na është hakërruar duke na dhënë si arsye mospjesëmarrjen në mitingjet e PD-së kur ajo ka shkuar të marrë mungesat, gjë të cilën e ka bërë me kompetencë sipas saj, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim, ashtu siç nuk mund të ketë dhe mungesa me arsye në mitingjet e partisë që e kanë futur atë drejtuese për herë të dytë. Arsyeja e dytë ka qenë mosplotësimi i listës me emrat e familjarëve që do të votonin për PD dhe mosangazhimi i detyrueshëm, sipas drejtoreshës, tek shtabi i PD-së”.
Sipas Llanës, të dy punonjësit e shkarkuar kanë vendosur të padisin veprimin e drejtoreshës Boshku në gjykatë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





