Partia Demokratike, dega Durrës, ka reaguar ndaj situatës së rindërtimit në qytet, duke e cilësuar një padrejtësi të rëndë ndaj qytetarëve që prej 6 vitesh presin të kthehen në banesat e tyre.
Sipas PD-së, mijëra familje në Durrës vijojnë të jenë të pastrehë dhe prej tre vitesh nuk marrin më as bonusin e qirasë. Por në kontrast me ta, përfitimet nuk mungojnë për personat e lidhur me Partinë Socialiste.
PD përmend rastin konkret të Gerald Dautajt, koordinator i PS për lagjen nr. 10, i cili sipas tyre ka përfituar nga Bashkia Durrës një shumë rreth 26 mijë euro, të akorduara nga kryebashkiakja Emiriana Sako.
Postimi i plotë:
Rindërtimi, plagë e pambyllyr për durrsakët por shpërblim për patronazhistët.
6 vite pas tërmetit, mijëra familje në Durrës nuk kanë hyrë ende në banesa, ndërsa prej tri vitesh nuk marrin më as bonusin e qirasë.
Por, kjo nuk vlen për koordinatorët e PS, për të cilët as kanë munguar dhe as mungojnë benefitet, që lidhen me shuma marramendëse.
Gerald Gjergj Dautaj, koordinatori i lagjes numër 10 i PS është shembull konkret i asaj që ndodh në Durrës, të cilit Sako i ka dhënë 2.617.558 lekë e barabartë me 26 mijë euro.
Një konfirmim i qartë i hendekut të krijuar, ku ca janë të nënës e ca të njerkës!
A është kjo arsyeja pse Bashkia e Durrësit nuk ka pranuar kërkesën e PD për hetim për rindërtimin? Sa raste abuzimesh fshihen pas bllokimit të hetimit?





