DURRËS – Partia Demokratike i shtoi sot rradhët e saj me 3 mijë të rinj durrsakë, të cilët ju bashkangjitën kësaj force politike gjatë takimit të zhvilluar pasditen e së premtes në qytetin bregdetar. Të rinjve iu dorëzoi kartat e anëtarësimit vetë kryeministri Sali Berisha. Gjatë fjalës së mbajtur në takim Berisha theksoi se Partia Demokratike është parti e dinjitetit njerëzor, e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, parti e të ardhmes europiane të shqiptarëve dhe se të rinjtë anëtarësohen në forcën kryesore të ndryshimit.
“Përkushtimi juaj i madh bëri që Shqipëria të ndryshojë më shumë se çdo vend tjetër nga vendi i telave me gjemba, sot vend aleat i NATO-s dhe qytetarët lëvizin të lirë ë të gjithë Europën. Shqipëria dixhitale qëndron në krye, Shqipëria dixhitale është mendja juaj, vepra juaj, çdo projekt ka për burim ëndrrat rinore”,- tha kryeministri para të rinjve durrsakë.
Duke u ndalur tek problemet e punësimit, sidomos ato të brezit të ri Berisha nënvizoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për punësimin e tyre.
“Qeveria me qëllim që energjia juaj të shndërrohet në energjinë e vendit do bëjë gjithçka për punësimin tuaj. Qeveria vendos së shpejti të përballojë shpenzimet, kontributet sociale për secilin prej jush për 3 vjet me rradhë në çdo sipërmarrje”,- tha më tej kreu i ekzekutivit.
Shefi i qeverisë nuk ka kursyer kritikat edhe për kreun e PS-së Edi Rama, duke i bërë thirrje të rinjve që më 23 qershor të rrëzojnë murin e bllokimit për në familjen europiane si dhe testamentin e etërve të kryesocialistit.
“Me 23 qershor ne votojmë për veten tonë, votojmë për ndryshimet e katër viteve që vijnë, votojmë për Durrësin, Shqipërinë e zhvilluar dhe europiane. Me 23 qershor ne votojmë dhe energjinë tonë, ne shembim murin e bllokimit dhe do të lemë Edi Ramën me testamentin e etërve të tij. Dhe do ecim drejt Evropës pa na ndalur askush herë tjetër. Çdo fushatë elektorale të fituar nga PD kam patur si arkitekt ju dhe vetëm ju, para së gjithash të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë. Që nesër të mbledhim çdo votë dhe të përsërisim fitoren e vitit 1992, fitoren peblishitare, të ecim të sigurtë. Ne jemi ndryshimi përpara, përpara, përpara”,- deklaroi Berisha.
Sipas kryeministrit 23 qershori është festa e madhe e lirive, festa e votës së lirë, e fitores së thellë, e ndryshimit të madh dhe e Shqipërisë europiane.