Presion indirekt e konsiderojnë lektorët e universiteteve, deklaratën e kryeministrit bërë një ditë më parë për të kryer vetingun e pedagogëve.

Sipas pedagogëve, në gjithë këto vite është ndjekur një politikë e shtrembër në sistemin arsimor, sidomos përsa i përket kërkimit shkencor dhe formimit profesional të pedagogëve të rinj.

Në ditën e tretë të protestës, pedagogët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë përsëritur kërkesat e parashtruara nga sindikata dhe kërkojnë nga qeveria plotësimin e tyre.

“Rritja e pagës prej 7%, pothuajse për ne është e papërfillshme. 50% të rrogës unë e shpenzoj për doktoraturën dhe 50% unë e shpenzoj për konsum karburanti që të vij në punë. Të gjitha konferencat që ne i kemi publikuar i kemi kryer me të ardhurat personale”

“Universiteti nuk na mbështet për asnjë konferencë shkencore. Ne na kërkohen dy konferenca në vit, na kërkohen botime në revista shkencor, që sigurisht janë shumë të shtrenjta dhe shteti nuk na mbështet për asnjë udhëtim, për asnjë botim, për asnjë pjesëmarrje në konferencë”, u shprehën pedagogët.

Pas tre protestash 2 orëshe përgjatë kësaj jave, sindikata e pedagogëve paralajmëron përshkallëzimin e hapave deri në përmbushjen e kushteve të tyre.

Sindikata njoftoi se nesër do të ketë bojkot total të mësimit, ndërsa është njoftuar mbajtja e protestës kombëtare përpara Godines së Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik, në Tiranë. Në këtë protestë pritet të marrin pjesë të gjitha universitetet publike të vendit.

M.B.