Orët e mëngjesit, kur edhe rrezet e diellit nuk janë aq të nxehta u shfrytëzuan nga pensionistët durrsakë për të bërë një xhiro nëpër qytet apo përgjatë vijës bregdetare.

Duke përfituar nga orari i liridaljes, të shumtë ishin ata që mbushën rrugët e qytetit. Pavarësisht se qeveria u jep liridalje vetëm në fundjavë, kjo masë nuk po zbatohet nga pensionistët, të cilët i sheh çdo ditë të javës në rrugët e qytetit bregdetar duke bërë blerjet e nevojshme, duke paguar faturat apo thjesht duke bërë një shëtitje, aq e domosdoshme për moshën e tretë për një shëndet të mirë.

Në Durrës ka tashmë vetëm një rast aktiv me Covid-19, ndërkohë që qyteti bregdetar mbetet ende në listën e 6 bashkive zona të kuqe, në të cilat lëvizja e qytetarëve dhe aktiviteti i bizneseve duhet të zhvillohet deri në orën 17.30.