· Gjendje e mjeruar në ish-shtëpinë e pionierit: fëmijët duhet të gjejnë vetë veshjet e koncerteve dhe prindërit duhet të paguajnë biletat e avionëve për përfaqësimin e Shqipërisë
· Ish-drejtorja e arsimit Mirë Bllani i shkurtoi personelin Qendrës Kulturore të Fëmijëve
DURRËS, 7 korrik 2014 – Askujt nuk i intereson të financojë fëmijët e Durrësit që shkojnë çdo vit në Festivalin Ndërkombëtar të valles në Turqi dhe përfaqësojnë Shqipërinë, kështu denoncon në të përditshmen Shqip gazetarja e TV Klan Manjolë Bregasi.
Gazetarja e televizionit Klan dhe skenaristja znj. Manjolë Bregasi, së bashku me emnaken e saj znj. Manjolë Lloja Bushati, kanë realizuar dokumentarin problemor të financuar nga Ministria e Kulturës me titull “Në shtëpitë e vogla të artistëve të mëdhenj” rreth gjendjes në ish-shtëpitë e pionierit / qendrat kulturore të fëmijëve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës dhe Vlorës.
Në QKF-në e Durrësit, “mësuesit me gjithë dashamirësinë e përkushtimin, nuk mund të fshihnin godinën e vjetruar e të strukur midis pallateve, nuk mund të shmangnin muret e rrëzuara e me lagështirë, ndërsa kudo ndjehej ajri i ftohtë edhe pse kishim hyrë ne muajin prill”, shkruan me trishtim znj. Manjolë.
Këtë problem e ka trajtuar më 21 maj dhe “Dyrrah”-u (shih: www.durreslajm.com/sociale/durres-festa-e-abetares-ne-godinen-e-rrenuar-te-qkf).
Qendra Kulturore e Fëmijëve ka varësi të dyfishtë: edhe nga bashkia dhe nga Drejtoria Rajonale Arsimore, e cila, kur drejtohej nga z. Mirë Bllani, i shkurtoi personelin.
Bashkautorja e dokumentarit përmend faktin se “dikush nga specialistët, tashmë në prag të pensionit tregon se edhe instrumentet muzikore i sjellin nga shtëpia vetë mësuesit. Pra puna me fëmijët, nuk paska vetëm kënaqësi. Ka edhe probleme… A e dini pse? Sepse askujt nuk i intereson të financojë fëmijët e Durrësit që shkojnë çdo vit në Festivalin Ndërkombëtar të valles në Turqi dhe përfaqësojnë Shqipërinë”.
Është tronditëse: “Asnjë biznes nuk preferon ta vendosë logon e tij në të tilla aktivitete, kur fare mirë mund të investojë në konkurse bukurie fjala vjen. Fëmijët duhet të gjejnë veshjet e koncerteve dhe prindërit që duhet të paguajnë biletat e avionëve”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





