Durrës, 14 prill 2014 – Një borxh i pashlyer prej kohësh është bërë shkak për lindjen e një konflikti familjar që ka degjeneruar deri në dhunë fizike mes personave me lidhje gjaku.

Një 45 vjeçare F.D. nga Durrësi i kishte marrë kohë më parë vëllait të saj V.U, 35 vjeç, banues në Durrës një shumë të konsiderueshme të hollash. Megjithëse në kohën kur kishte marrë paratë, motra i kishte premtuar të vëllait se do t’ia kthente sa më shpejt, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Pasi ka kërkuar disa herë rikthimin e shumës së parave, 35 vjeçari i ka lënë ultimatum të motrës që t’ia kthente paratë ditën e shtunë.  Megjithëse 45 vjeçarja është paraqitur në vendin e takimit rreth orës 19.30, në afërsi të Urës së Dajlanit, ajo nuk kishte marrë me vete paratë.

I ndodhur përpara këtij fakti, vëllai i gruas është xhindosur dhe nuk ka nguruar të godasë të motrën me sende të forta në kokë duke i shkaktuar lëndime. Në këto momente ka reaguar djali 18 vjeçar i gruas. Kur ka parë dajën të rrahë nënën në sytë e tij, nipi ka ngritur dorë mbi 35 vjeçarin dhe e ka qëlluar disa herë me sende të forta.

Pas konfliktit fizik, palët kanë bërë denoncimin përkatës në polici. Forcat e rendit kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 35 vjeçarit V.U., ndërkohë që ndaj nipit të tij, R.D. ka nisur procedimi penal në mungesë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/