Durrës, 9 maj 2014 – Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një parking privat, në pronësi të shtetasit Z.B., në autostradën Durrës – Tiranë, një automjet është përfshirë nga flakët.

Policia bën të ditur se flakët janë vënë re nga roja i parkimit rreth orës 04.15 dhe duket se kanë nisur nga poshtë motorit. Mësohet se makina tip Ford që është përfshirë nga flakët është pa targa.

Roja e parkimit ka njoftuar menjëherë zjarrfikësen dhe policinë. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur shuarjen e flakëve, të cilat rrezikonin edhe automjetet e tjera të parkuara aty.

Ndërkohë policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje. Paraprakisht mendohet se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale, gjithsesi grupi hetimor nuk përjashton edhe pista të tjera.

Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, një automjet tip Mitsubishi, me targa AA 106 EJ, i inxhinieres së ndërtimit Entela Çano u përfshi nga flakët në autostradën Durrës – Tiranë. Ndërsa në fillim u përfol për një difekt në motor, policia më pas konfirmoi se në automjet ishte vendosur një sasi eksplozivi.

Fatmirësisht inxhinierja 38 vjeçare shpëtoi e pa lënduar nga ky atentat, ndërkohë që makina u shkrumbua plotësisht.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/