PS-ja e tronditur, gazeta e PD-së përshëndet ish-inspektoren e DAR-it dhe shefe departamenti në universitetin “Aleksandër Moisiu”

DURRËS, 27 nëntor 2013 – Zbardhet më së fundmi enigma e kreut të ri të drejtorisë arsimore rajonale të qarkut të Durrësit, quhet Linditë Mukaj, MSc. (doktorante), koordinatore e departamentit të menaxhimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në fakultetin i studimeve të integruara me praktikën pranë universitetit publik “Aleksandër Moisiu” Durrës. Mbrëmjen e 26 nëntorit 2013, ndonëse me shi të dendur dhe përmbytje rrugësh, çuditërisht salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit u mbush tej nxënësisë së saj (merret me mend se ç’do të bëhej nëse do të ishte mot i mirë!) me mësues, prindër, pushtetarë dhe politikanë vendorë. Do të zhvillohej përfundimtarja për zgjedhjen e drejtuesit / drejtueses së drejtorisë arsimore rajonale të Durrësit. Ishin të pranishëm dhe prefekti i qarkut Roland Xhelilaj, kryetari i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj (në foto), kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së qarkut Andrea Xhavara, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) etj. Në skenën e teatrit ishte vendosur afishja e MAS-it (Arsimi i gjeneratës / breznisë tjetër. Finalet / Përfundimtaret publike DAR Durrës), si dhe ishin ulur në rend alfabetik të pesë konkurruesit: Adrian Gurra, Arben Tanko, Bashkim Shyle, Linditë Mukaj, Orges Mema (shih në foto nga e majta në të djathtë). Ministrja Linditë Nikolla hapi ceremoninë e përfundimtares publike, me një fjalim të gjatë, duke theksuar se arsimi po përjeton një frymë të re. Çdo konkurrues pati në dispozicion 10 minuta për të shpjeguar vizionin e tij mbi drejtimin e drejtorisë arsimore rajonale. Më pas u mblodh juria, që brenda një kohe të shkurtër, solli befasi në sallë. Drejtore u zgjodh një emnake e ministres, Linditë Mukaj, me merita vetjake në arsim nga Lushnja në Durrës, inspektore në DAR në periudhën e PD-së dhe përgjegjëse departamenti e emëruar nga PD-ja në universitetin publik “Aleksandër Moisiu” Durrës. Por ajo thotë se nuk i përket asnjë partie politike, ndonëse gazeta e PD-së vendore, brenda pak mbrëmjes së 26 nëntorit 2013, përshëndeti emërimin e saj. Në PS-në bregdetare ndihen të tronditur nga disfata e katër burrave të majtë, me një “gol në minutën e fundit”. Por ministrja Nikolla ka përshëndetur humbësit që i dhanë dorën dhe uruan fitimtaren, si një dukuri të qytetarisë durrsake. Gjithsesi, nr. 1 në dikaster ishte e ndërgjegjshme për zërat e pakënaqur që mund të përhapen në këtë rast. Qarkullojnë fjalë mbi paracaktimin e emrit në Tiranë.

 

/agjencia  lajmeve “Dyrrah”/