DURRËS, 13 nëntor 2014 – Duke vlerësuar faktet në tërësinë e tyre dhe vlerën e tyre provuese nga organi i akuzës provohen plotësisht veprat penale, për të cilën janë akuzuar të pandehurit Odetë Tota, 41 vjeçe dhe Endrit Sina, 33 vjeç, pedagogë në UAMD (korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike); Merushe Boçeri, 40 vjeçe dhe Melisë Doçi, 24 vjeçe (ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike) thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë.
Mësohet se prokuroria përfundoi hetimet dhe çoi për gjykim dy pedagogë dhe dy studente të universitetit publik “Aleksandër Moisiu” ë Durrës për korrupsion.
Sfond
Të 4 të pandehurit janë arrestuar më 22 shkurt 2014 në operacionin e koduar “Master”.
Bazuar në të dhënat dhe provat e grumbulluara gjatë hetimit, gjykata e rrethit gjyqësor Durrës më 21 shkurt 2014 ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest ne burg” për të katërtët.
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë tha se, në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë e Durrësit, pas një hetimi dymujor ka ngritur akuzat për veprat penale të korrupsionit.
Dyshohej se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kanë favorizuar studentë të këtij fakulteti në provimet e detyrueshme, kundrejt përfitimeve të paligjshme.
Gjatë hetimeve u arrit të provohet me prova ligjore se për çdo provim pedagogët përfitonin si ryshfet nga çdo student deri në 15 mijë lekë.
Provimet e dhëna më pas nga studentet e infermierisë korrigjoheshin nga vet studentët e akuzuar dhe vlerësimi bëhej në varësi të shumës së dhëne nga studenti.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





