Ka përfunduar autopsia mjekoligjore për fëmijën e mitur, vetëm 3 vjeç që humbi jetën mesditën e sotme në qytetin e Durrësit.
Burime për DurrësLajm bëjnë të ditur se personeli mjekoligjor, në bashkëpunim me grupin e mjekëve specialistë të ngritur për të zbuluar shkakun e vdekjes nuk kanë konkluduar ende.
Ata kanë marrë mostra, të cilat do të dërgohen në laboratorin toksikologjik në Tiranë. Konkluzionet për shkakun e vdekjes së fëmijës 3-vjeçar pritet të dalin pas 2 javësh, kur do të bëhen publike rezultatet e analizave.
Fëmija 3-vjeçar, humbi jetën rrugës për në spital, ndërkohë që u ndje keq ndërsa ndodhej në një kopsht privat në lagjen nr. 4 të Durrësit.
Ai u dërgua menjëherë në Poliklinikën e Specialiteteve në Durrës dhe nga aty drejt Urgjencës se Pediatrisë, por nuk mundi të mbijetonte.





