DURRES, 25 prill 2013 – Këto ditë pritet të përurohet ndërtesa e parë e Kampusit të ri Universitar në qytetin e Durrësit. Godina e parë sapo ka përfunduar dhe ndërkohë kanë nisur punimet në ndërtesën e dytë, e cila pritet të jetë gati pas disa muajsh.
Pas përurimit të godinës së parë, në të do të mund të ndjekin studimet e larta rreth 2500 studentë. Ndërtesa e parë zë një sipërfaqe prej 8500m katrorë. Sipas rektorit Mit’hat Mema, me përfundimin e kësaj godine marrin fund edhe ecejaket e studentëve nëpër shkollat e mesme të qytetit dhe ndërtesa të marra me qira. Në mungesë të ambienteve të mjaftueshme shumë fakultete të UAMD-së i zhvillojnë leksionet dhe seminaret në gjimnazet e qytetit dhe ndërtesa private, kryesisht pasditeve.
Fondi që është shpenzuar për ndërtimin e godinës së parë të kampusit arrin vlerën 560 milion lekë të reja, ndërsa investimi për ndërtesën tjetër arrin në 650 milionë.
Pasi të mbarojnë së ngrituri të gjitha godinat që do ta përbëjnë kampusi do të hapë dyert për rreth 20-25 mijë studentë, nga 15 mijë që ka aktualisht.
Rektori i këtij universiteti Mit’hat Mema thekson se kampusi është një investim madhor dhe krahas kontributit që do të japë për shkollimin e lartë të mijëra studentëve në të do të punësohen rreth 1500 punonjës, ndër të cilët staf akademik, personel administrate etj.
“Kampusi do të plotësojë të gjitha standartet e simotrave të tij në vendet europiane dhe do të konkurojë denjësisht me të gjitha shkollat e larta të rajonit”,- thotë Mema.
Korpusi i ri do të ketë 5 godina ku do të vendosen fakultetet e UAMD-së si dhe komplekse shërbimesh arsimore, bibliotekë, librari, park etj.
Në projektin e kampusit është përfshirë ndërtimi edhe i mjediseve sportive, restorantit dhe infrastrukturës ndihmëse. Sipas Memës, stadium i parashikuar për t’u ndërtuar brenda hapësirës së kampusit do të konkurojë për nga përmasat edhe me stadiumin e qytetit “Niko Dovana”.
Në përfundim të tij studentët që vijnë nga rrethet do të mund të sistemohen në konviktin e kampusit, godinë kjo që në këto 7 vite të funksionimit të UAMD-së u ka munguar këtyre të fundit.
Vlera e investimit përfundimtar parashikohet që të arrijë në rreth 160 milion euro. I gjithë korpusi universitar, që po ndërtohet në zonën e Spitallës do të shtrihet në një sipërfaqe prej 55 ha.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





