• Takim përmbyllës për ndërtimin e sistemit Përroi i Agait-Ura e Dajlanit-Shënavlash
• Grant i KE-së me vlerë 10 milionë euro për ndërtimin e rreth 12.8 km tubacion të ri të kanalizimeve
1* 0 stacione pompimi, 5 nga të cilat janë ndërtuar tërësisht të reja. 5 stacionet ekzistuese janë rehabilituar duke u përshtatur me investimin
DURRËS, 5 shkurt 2015 – Të enjten, më 5 shkurt 2015, në drejtorinë ekzekutive të ndërmarrjes publike Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) sha u zhvillua takimi përmbyllës për ndërtimin e sistemit të rrjetit të ujërave të zeza Përroi i Agait-Ura e Dajlanit dhe shkarkimin e tyre tek impianti i përpunimit të ujërave të ndotura në Shënavlash. Në këtë takim kanë marrë pjesë një delegacion i BE-së, si dhe drejtues të projektit të zbatuar gjatë vitit 2013.
Fillimisht, drejtori i UKD-së Spartak Kovaçi tha shkurtimisht se, pas marrjes në dorëzim të këtij investimi, gjatë periudhës së garancisë prej një viti, nuk ka pasur asnjë problem në lidhje me tubacionin e shtruar, ndërtimin e pusetave dhe stacionet e pompimit. Anëtarët e delegacionit u shprehën të kënaqur me ecurinë e projektit. U theksua se investimi, që i përket lotit të dytë për investimin në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza në Shqipëri, është i vetmi që është mbyllur deri tani sipas parashikimeve dhe që nuk ka pasur asnjë problem gjatë zbatimit të tij.
PROJEKTI
Investimi është një grant i KE-së me vlerë 10 milionë euro dhe parashikonte ndërtimin e rreth 12.8 km tubacion të ri të kanalizimeve të ujërave të zeza nga Përroi i Agait (Shkëmbi i Kavajës) deri tek impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash. Për ndërtimin e këtij rrjeti janë përdorur tubacione të diametrit nga 280 mm deri në 1000 mm. Në zonën e Plazhit është ndërtuar 2.8 km linjë kryesore. Investimi është marrë në dorëzim një vit më parë nga Ujësjellës-Kanalizime Durrës sha. Gjatë periudhës së garancisë prej një viti ky rrjet, së bashku me stacionet e pompimit, ka funksionuar normalisht duke mos pasur asnjë problem serioz. Investimi në fjalë është realizuar nga kontraktuesi italian “Giovanni Putignano & Srl” dhe firma shqiptare Adriatik shpk”. Përgjatë gjithë rrjetit në fjalë janë 10 stacione pompimi, 5 nga të cilat janë ndërtuar tërësisht të reja. 5 stacionet ekzistuese janë rehabilituar duke u përshtatur me investimin. Ndërtimi i linjës së re të ujërave të zeza është i rëndësishëm pasi përgjatë zonës turistike të Shkëmbit të Kavajës deri në impiantin e trajtimit të ujërave të zeza nuk ka më derdhje të ujërave të zeza në rrugë apo det. Tashmë këtij investimi pritet t’i bashkëngjitet edhe investimi i pritshëm për ndërtimin e rrjetit dytësor dhe tretësor për zonën e plazhit të Durrësit, nga zona e AGIP-it deri te përroi i Agait. Ky investim, është pjesë e komponentit të kredisë së Bankës Botërore me vlerë 65.2 milionë euro.
ÇFARË PRITET TË NDODHË NË PLAZH DHE QYTET?
Ujësjellës Kanalizime Durrës ka përfunduar projektin për rrjetin dytësor dhe tretësor të zonës së banuar, nga AGIP-i deri te Përroi i Agait, në kufi më komunën e Golemit. Ndërtimi i këtyre linjave zgjidh një herë e mirë problemin e ujërave të zeza, që derdhen në mes të lagjeve apo në rrugë, duke disiplinuar përfundimisht problemin në fjalë. Ky investim pritet të nisë sapo të përfundojnë procedurat e tenderimit për ndërtimin e ujësjellësit të ri dhe komponentët e tjerë të investimit me fonde të Bankës Botërore.
Për sa i përket qytetit të Durrësit, situata e ujërave të zeza është pak më problematike. Dega teknike e UKD-së ka nisur projektimin mbi ndërhyrjet, që do të bëhen për rehabilitimin e rrjetit dhe stacioneve të pompimit. Aktualisht stacioni nr. 8, që gjendet pas murit rrethues të portit, i derdh tepricat në det. I është kërkuar BB-së të mundësohet ndërtimi i linjës së re nga stacioni nr. 8 deri te stacioni nr. 7, që gjendet te rrethrrotullimi i Kënetës në afërsi të stadiumit. Në këtë bosht parashikohet të bëhet ndërtimi i linjës me gravitet si dhe rehabilitimi i stacionit pompues nr 7.
Një linjë e re pritet të ndërtohet edhe për zonën e Currilave, duke mbledhur ujërat e zeza nga stacioni fundor në Currila në drejtim të Bërrylit, shëtitores “Taulantia” me destinacion stacionin nr. 8 në hyrje të kësaj shëtitoreje. Gjithashtu, pritet të ndërtohet i njëjti modul linje nga stacioni 7 deri tek ai nr. 9, i cili është stacioni i fundit para mbërritjes së ujërave të ndotura tek impianti. Ndërtimi dhe rehabilitimi i këtyre linjave mundëson që ujërat e zeza të mos bashkohen më me ujërat e bardha dhe në impiant të shkojnë vetëm ujërat e ndotura.
/red. th. m. kontribuoi Aleks Kalemasi/





