Festivali i nëntë i "Maratonës Rinore" është përmbyllur në finalen e 24 shkurtit të organizuar në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu" në Durrës.

Me pjesëmarrjen e 18 shkollave publike e jo publike në Durrës, prej datës 15 shkurt nxënësit e shkollave të ndryshme të qytetit, kanë shpalosur në skenë talentin e tyre në fusha të ndryshme, gjykuar nga një juri profesionistësh.

Gjimnazi "Leonik Tomeo" ka triumfuar edhe këtë vit, duke u renditur në vendin e parë, i ndjekur nga vendi i dytë, shkolla "Gjergj Kastrioti", dhe vendi i tretë, "Naim Frashëri".

Ndërsa gjimnazet e zonave rurale, si ai i Maminasit, Shën Vlashit dhe Katundit të Ri u renditën në vendin e katërt, pestë dhe të gjashtë.

Finalja e festivalit "Maratona Rinore", është ndezur fort si rezultat i konkurrencës së ashpër midis shkollave të mesme të cilat garonin në disa gjini, si muzikë, këngë, kërcim, pikturë, interpretim, recitim, etj, madje edhe në përgatitjen e reportazhit.

Ky festival organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Arsimore Durrës, QKF, Aleancës Franceze si dhe bashkisë së qytetit.

G.D.