·        Të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli; zëvendësambasadori amerikan Henry V. Jardine; atashe ushtarakë të akredituar në Tiranë

·        Situata të përafërta me ato në det, kryesisht operacione të kërkim-shpëtimit dhe zbatimit të ligjshmërisë detare, parandalimit të trafiqeve të ndryshme të lëndëve narkotike, mallrave dhe qenieve njerëzore

DURRËS, 26 shkurt 2014 –  Më 25 shkurt 2014 në Qendrën e Simulimeve të Komandës së Doktrinave dhe Stërvitjes (KDS) u mbyll me sukses stërvitja e përbashkët “Pulëbardha 14-1”, zhvilluar nga Qendra e Simulimit dhe Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD); njofton Shefqet Kërcelli, zëdhënës i Forcës Detare, me seli në Plepa të Durrësit. Stërvitja “Pulëbardha 14-1”zhvillohet për herë të parë në nivel ndërministror.

Për më se 2 javë personeli i Qendrës Operacionale Ndërinstitucionale Detare (QNOD), u trajnua dhe stërvit në mjediset e KDS-së, duke improvizuar situata të përafërta me ato në det, kryesisht operacione të kërkim-shpëtimit dhe zbatimit të ligjshmërisë detare, parandalimit të trafiqeve të ndryshme të lëndëve narkotike, mallrave dhe qenieve njerëzore. Drejtori administrativ i QNOD Maksim Malaj theksoi se kjo stërvitje i shërbeu më së miri rritjes së aftësive profesionale të kuadrove e specialistëve të QNOD dhe bashkëveprimit efikas të institucioneve pjesëmarrëse për përballimin e situatave dhe emergjencave të ndryshme në det. Në ceremoninë e mbylljes së kësaj stërvitjeje morën pjesë Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli; drejtues dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit; Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës; Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; Ministria e Kulturës; Ministria e Mjedisit; Ministria e Financave si dhe zëvendësambasadori amerikan Henry V. Jardine; atashe ushtarakë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të ICITAP-it, PAMECA-s, drejtorë drejtorish në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe SHPFA, etj. Të pranishmit u njohën nga afër me qëllimin, skenarët dhe objektivat që synohen të arrihen në përfundim të kësaj stërvitjeje. Qëllimi i stërvitjes “Pulëbardha 14-1” ishte rritja e ndërveprueshmërisë së institucioneve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në det, nëpërmjet operimit dhe koordinimit sa më të shpejtë për përballimin e problematikave të ndryshme me të cilat përballen këto institucione.Stërvitja “Pulëbardha 14-1”zhvillohet për herë të parë në nivel ndërministror, njofton Ministria e Mbrojtjes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/