DURRËS, 30 dhjetor 2014 –  Një grup specialistësh të drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare (DRKK) Durrës, i përbërë nga arkitektë, inxhinierë e arkeologë, po punon për përgatitjen e një projekti për restaurimin e termave (banja) antike, thotë drejtori Ledion Lako. Sipas këtij të fundit, me këtë ndërmarrje synohet që ky monument të jetë i vizitueshëm dhe tërheqës për turistët e shumtë, në një kohë sa më të afërt.

Meqenëse termat ndodhen në themelet e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, për shkak të lagështirës dhe mungesës së dritës, ato kanë nevojë për ndërhyrje mirëmbajtëse, përveç ndriçimit dhe pajisjes me tabela, orientime dhe përshkrime.

Një projekt i denjë për Termat e Durrësit, i realizuar në kohën e duhur, do ta rriste ndjeshëm interesin turistik të qytetit, duke iu shtuar një guide të pasur, e cila përfshin për sezonin veror, tashmë edhe Muzeun Arkeologjik të rinovuar.

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” realizuan me sukses projektin e parë të “Miku i Monumentit”. DRKK-ja Durrë shpreh kënaqësinë dhe mirënjohjen e veçantë për miqtë e monumenteve. Ata përmbushën në këtë veprimtari qëllimin e projektit “Miku i Monumentit”, plotësuan kriteret e caktuara si dhe orientimet.

Anëtarët e Rrjetit bënë një punë kërkimore për një njohje më të thellë të Termeve romake të Durrësit, e përpunuan këtë material dhe përgatitën një guidë për të ftuarit e tyre nga Elbasani dhe Librazhdi. Ata bënë një punë të mirë për të menaxhuar flukset e vizitorëve dhe prezantuan në mënyrë mbresëlënëse monumentin e tyre, të cilin e kishin pastruar dhe ndriçuar me qirinj, duke krijuar një atmosferë magjike.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/