Durrës, 15 qershor 2014 – Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me shoqatat “Miqtë e Thomsonit” dhe “Foleja Kombëtare Shqiptare” ka organizuar një ceremoni të veçantë në përkujtim të 100 vjetorit të rënies së kolonelit Thomson dhe patriotëve të tjerë shqiptarë. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryeministri i vendit Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ministrja e kulturës Mirela Kumbaro, ambasadori hollandez në Shqipëri Martin De La Beij, kryetari i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Xhelilaj, deputetë të PS, personalitete dhe qytetarë të Durrësit.
Kjo ceremoni është zhvilluar në sheshin ku ndodhet busti i kolonelit Thomson dhe ku Bashkia e Durrësit ka vendosur edhe obeliskun përkatës me mbishkrimin përkujtimor për kolonelin hollandez. Në këtë ceremoni ambasadori hollandez Martin De La Beij ka shprehur vlerësimet për nderimin që i bëhet kolonelit hollandez në Shqipëri dhe ka ngritur lart vlerat që e kanë karakterizuar kolonelin Thomson, i cili ra në mbrojtje të interesave të Shqipërisë dhe e ka quajtur kolonelin Thomson një simbol të marrëdhënieve shqiptaro-holandeze.
Nga ana e saj, ministrja Kumbaro ka theksuar se sot nuk ka dilema dhe ëndrra evropiane është Europa reale që i bashkon të gjithë shqiptarët sepse ne të gjithë jemi evropianë dhe për këtë jemi këtu për të nderuar një martir evropian që Fan Noli 100 vjet më parë e quajti “Kalorës i huaj që vdiqe për ne”, dhe sot ai nuk është më i huaj por është si ne.
Më pas, në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit e ndien për detyrë t’i kushtojë kujtimit të kolonelit Tomson gjithë nderimet që i takojnë një therori për të mirën e Shqipërisë, pasi ne e konsiderojmë kolonelin Tomson si një martir të pavarësisë shqiptare dhe ia kushtojmë të gjitha nderimet që meritojnë martirët:
“Bashkia e Durresit e ndien për detyrë t’i kushtojë kujtimit të kolonelit Thomson gjithë nderimet që i takojnë një therori për të mirën e Shqipërisë. Ata që ngritën dorën kundër tij ngritën dorën kundër fatit të pambrojtur të vetë Shqipërisë, kundër lirisë së saj, kundër ardhmërisë së saj si një shtet i pavarur. Historia u ka ndarë nderimin të parëve dhe turpin të dytëve.
Nderimin për kolonelin Thomson ne e bashkojmë në një varg veprimtarish që janë planifikuar në 100-vjetorin e principatës shqiptare, e cila për një gjysmë shekulli e më vonë, mbeti në errësi. Durrësi do ta kujtojë emrin dhe punën e kolonelit Thomson sot e për dekada e shekuj, sepse me to është e lidhur rruga jonë drejt pavarësisë. Ne e konsiderojmë kolonelin Thomson si një martir të pavarësisë shqiptare dhe ia kushtojmë të gjitha nderimet që meritojnë martirët”,- tha Dako.
Më pas kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, ministrja Mirela Kumbaro, ambasadori hollandez De La Beij dhe gjithë të ftuarit e tjerë vendosën kurora me lule dhe kryen homazhe në bustin e kolonelit Thomson si dhe vizituan një ekspozitë me fotografi dhe materiale historike që përshkruajnë aktivitetin patriotik në dobi të Shqipërisë të kolonelit Thomson.
Info
Lodewijk Thomson lindi më 11 qershor 1869, në Voorschoten pranë Hagës, në një familje ushtarakësh. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa më pas u shpërngul në Rotterdam, ku përfundoi shkollën reale. Pas mbarimit të programit trevjeçar të shkollës pasuniversitare, ai u regjistrua në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Breda më 1884, ku në vitin 1892 u gradua toger dhe fitoi titullin “Kryqi i Nderit”.
Pas një sërë misionesh në ushtri në vende të ndryshme të botës, si dhe vlerësimit me një numër dekoratash për trimëri si “Urdhri i Luanit të Holandës”, “Kalorësi i Urdhrit me Shpatën e Suedisë”, etj. Në vitin 1913 qeveria hollandeze mori një kërkesë nga Fuqitë e Mëdha për të dërguar në Shqipëri oficerë, të cilët do të ndihmonin në organizimin e Xhandarmërisë së shtetit të ri shqiptar.
Thomson ishte përzgjedhur nga Mbretëria e Holandës për këtë mision 3- vjeçar dhe së bashku me një tjetër oficer të lartë dhe 17 ushtarë holandezë mbërritën në Shqipëri, më 10 nëntor 2013 dhe koloneli Thomson filloi menjëher organizimin e xhandarmërisë shqiptare. Në maj 1914 në Shqipëri rebelët nisë kryengritjen dhe duhej një plan për izolimin që u hartua nga kolonel Thomson, i cili u emërua dhe komandant i rezistencës. Me këtë plan do shtypej kryengritja, por në betejën që u zhvillua më 15 qershor 1914, Thomson i cili udhëhoqi personalisht sulmin kundër kryengritësve u vra në përpjekje e sipër.
Pikërisht 100 vjet më parë, në betejën e 15 Qershorit 1914, Kolonel Thomsoni mbeti i vrarë së bashku me 40 kapitenë dhe ushtarë shqiptarë. Shkrimtari i famshëm dhe diplomati i asaj kohe, Faik Konica, e quajti Thomsonin në funeralin e tij “një hero, një mbrojtës sypatrembur i Shqipërisë dhe një martir i lirisë”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/









