U nda nga jeta pak muaj më parë, më 18 nëntor 2023, por në zemrat e familjarëve, miqve e kolegëve mbetet i paharruar. Në nderim të figurës së tij, klubet e futbollit “Teuta” dhe “Erzeni” organizuan sot një ceremoni përkujtimore si dhe kupën “Agim Bulku”.
Ish-futbollisti i njohur i Shkëndijes dhe Lokomotivës spikati me talentin e tij në fushën e blertë në vitet 70, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të padiskutueshëm të formacionit bazë. Për shumë nga ata që e njohën dhe luajtën përkrah tij, Agim Bulku do të kujtohet si një futbollist aristokrat.
I madhi Faruk Sejdini, ish-koleg me Agim Bulkun, e kujton kështu këtë të fundit: “Ishte nga ata futbollistë që emancipoi futbollin. Për mendimin tim ishte një sulmues aristokrat, sepse ishte njeri shumë i mirë. Mund të kesh shumë vlera sportive, por nëse nuk je njeri gjërat ndryshojnë”.
“Agim Bulku është një personalitet i sporteve, i fushës së inteligjencës sportive dhe qytetare, i lidhur ngushtësisht me historinë e zhvillimit të futbollit dhe sporteve në Durrës”,– tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij moderatori i eventit dhe gazetari i njohur sportiv, Bujar Qesja.
“Agimin e kujtoj gjithnjë të ri, gjithnjë një njeri mbi të gjitha. Ishte një model si futbollist, por mbi të gjitha ishte model si njeri”,– kujton ish-futbollisti dhe trajneri Stavri Nica.
Në fjalën e rastit, prefekti i qarkut Durrës, Emiljan Jani dhe drejtori i Kulturës në bashki Adrian Gurra vlerësuan lart figurën e Bulkut, i cili disa vite më parë është nderuar edhe me titullin “Mirënjohja e qytetit” të Durrësit.

Në përfundim të aktivitetit u zhvillua ndeshja e vlefshme për kupën “Agim Bulku” mes të rinjve të ekipit “Teuta” dhe “Erzeni”. Ishin të rinjtë nga Shijaku që ngritën lart kupën “Agim Bulku”, pasi fituan me rezultatin 2 me 1 përballë rivalëve të tyre durrsakë.
M.B.





