DURRES, 12 shkurt 2013 – Përmbarimi ka nxjerrë sot nga shtëpitë 12 familje, të sistemuara në ish kabinat e plazhit, pranë stacionit Iliria. Aksioni i ndërmarrë pak ditë më parë, pikërisht në datë 5 shkurt, por që nuk arriti të finalizohej duke u lënë edhe një javë afat kohë këtyre banorëve, është zbatuar sot.

12 familje janë nxjerrë nga shtëpitë e tyre me vendim gjykate, ndërkohë që fatin e tyre pritet ta pësojnë javën e ardhshme edhe 17 familje të tjera, të sistemuara në një tjetër godinë të ish kabinave të pushimit. Familjarët kanë deklaruar se ata janë pronarët e ligjshëm të këtyre banesave dhe jo personat, të cilët përmes dokumentacionit fiktiv kanë mundur të nxjerrin një vendim gjykate në favor të tyre.

Një javë më parë banorët u shprehën se do tentonin vetflijimin nëse do t’i nxirrnin nga shtëpitë, por sot janë detyruar t’i binden vendimit të gjykatës.

Gjykata e Durrësit ka marrë vendim kohë më parë që 29 familje të sistemuara në ish kabinat e pushimit duhet të largohen nga aty, pasi objektet janë privatizuar dhe figurojnë në emër të personave të tjerë. 

Procesi i privatizimit të ish kabinave të plazhit, ku janë sistemuar rreth 500 familje nisi në tetor të vitit 2009. 500 familje të pastreha u sistemuan në 11 godina shtetërore në plazhin e Durrësit dhe Currila në vitin 1991 me vendim të komitetit ekzekutiv pluralist. Pas kërkesave të përvitshme të banorëve dhe premtimeve disa vjeçare të partive politike për privatizimin e ish kabinave të pushimit Këshilli Bashkiak i Durrësit nisi procesin e privatizimit të tyre 4 vjet më parë.  

Miratimi i kërkesës i ktheu në pronarë banorët aktualë qiramarrës dhe zhbllokoi përfundimisht transaksionet si dhe investimet mbi këto godina, kushtet në të cilat, për hir të së vërtetës, lënë shumë për të dëshiruar.