DURRES – 12 familje janë tentuar të nxirren me forcë sot nga ish kabinat e plazhit në Durrës. Gjykata e Durrësit ka marrë vendim kohë më parë që 12 familje të sistemuara në ish kabinat e pushimit duhet të largohen nga aty, pasi objektet janë privatizuar dhe figurojnë në emër të personave të tjerë. Paraditen e sotme, përmbaruesit kanë trokitur në shtëpitë e këtyre banorëve dhe u kanë kërkuar të dalin nga aty.

Por tentativa e përmbaruesve për t’i larguar familjet nga shtëpitë ku jetojnë prej vitesh ka hasur në reagimin e ashpër të këtyre të fundit. Familjarët kanë deklaruar se ata janë pronarët e ligjshëm të këtyre banesave dhe jo personat, të cilët përmes dokumentacionit fiktiv kanë mundur të nxjerrin një vendim gjykate në favor të tyre.

Banorët deklaruan se vetëm të vdekur do dalin nga shtëpitë e tyre dhe preferojnë më mirë të vetflijohen bashkë me fëmijët, sesa të dalin në rrugë të madhe. Pjesa dërrmuese e tyre jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike dhe nuk kanë mundësi të sigurojnë një sistemim më të mirë. Duke parë reagimin e banorëve përmbaruesit vendosën të largohen pa arritur të zbatojnë në praktikë vendimin e gjykatës së Durrësit.

Procesi i privatizimit të ish kabinave të plazhit, ku janë sistemuar rreth 500 familje nisi në tetor të vitit 2009. 500 familje të pastreha u sistemuan në 11 godina shtetërore në plazhin e Durrësit dhe Currila në vitin 1991 me vendim të komitetit ekzekutiv pluralist. Pas kërkesave të përvitshme të banorëve dhe premtimeve disa vjeçare të partive politike për privatizimin e ish kabinave të pushimit Këshilli Bashkiak i Durrësit nisi procesin e privatizimit të tyre 4 vjet më parë.  

Miratimi i kërkesës i ktheu në pronarë banorët aktualë qiramarrës dhe zhbllokoi përfundimisht transaksionet si dhe investimet mbi këto godina, kushtet në të cilat, për hir të së vërtetës, lënë shumë për të dëshiruar.