· Për shkak të reshjeve të 48 orëve të fundit dalin nga shtrati lumenjtë Erzen dhe Ishëm
· Prefekti Roland Xhelilaj: Po punojmë për evakuimin e familjeve në të gjitha rastet, të gjithë hidrovorët në zonën bregdetare po funksionojnë intensivisht
DURRËS, 22 janar 2014 –Reshjet e 48 orëve të fundit dhe dalja nga shtrati e lumenjve Erzen dhe Ishëm kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore në disa fshatra të komunave Thumanë, Bubq dhe të bashkisë së Sukthit. Prefekti i qarkut, Roland Xhelilaj, në një intervistë për gazetarin Gëzim Kabashi të ATSH-së tha se drejtuesit e komunave dhe të fshatrave po punojnë për të parandaluar rrezikun e përmbytjeve të disa banesave në Fushë Krujë dhe në Thumanë. “Ne po punojmë për evakuimin e familjeve në të gjitha rastet”, tha Xhelilaj, i cili shtoi se “të gjithë hidrovorët në zonën bregdetare funksionojnë intensivisht. Dalja nga shtrati e lumenjve ka shkaktuar përmbytje, por ende nuk mund të saktësohen sipërfaqet e dëmtuara. Situata ndryshon vazhdimisht dhe shtabi i emergjencës civile ndodhet në terren duke e monitoruar rregullisht atë. Përmbytje të pjesshme, përveç komunave fushore pranë Fushë Krujës ka edhe në fshatrat e bashkisë së Sukthit, përkatësisht në Perlat dhe në Hamallaj. Ne po njihemi me situatën minutë pas minute dhe po koordinojmë veprimtarinë me shtabet e emergjencave dhe me administratën e komunave në terren”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





