DURRËS, 17 qershor 2014 –  Mesi i qershorit shndërrohet në vjeshtë me fortunale, bubullima dhe vetëtima, duke risjellë në Durrës përmbytje të mëdha në ish-Kënetë dhe Shkozet, kjo dhe për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike për 11-12 orë në hidrovor.

Reshjet e shiut që kanë rënë në Durrës gjatë gjithë natës së 16 qershorit si dhe në orët e para të mëngjesit të 17 qershorit 2014, kanë shkaktuar përmbytje në disa zona periferike të qytetit, ku më e rëndë paraqitet gjendja në ato të lagjeve 17 e 18 si dhe në lagjen 14 të Shkozetit.

Shiu ka hyrë në oborre dhe ka bllokuar qarkullimin te zona e njohur si Rotonda dhe në oborrin e shkollës së mesme “ Olsi Lasku”.

Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e shoqërisë shtetërore Autoriteti Portual Durrës sha ka dërguar njësi të zjarrfikëseve për të bërë edhe thithjen e ujërave të oborrit të tejmbushur dhe që mbushej vazhdimisht edhe nga prurjet e reja brenda thellësisë së lagjes.

Sipas banorëve, përmbytje ka pasur në të gjithë zonën nga fillimi deri në përfundim të unazës së ish-kënetës; ata shprehen të shqetësuar duke thënë se nga përmbytjet, po rrezikohen vazhdimisht dhe kjo për shkak te bllokimit të kanalizimeve që nuk lejojnë qarkullimin e ujërave në raste shirash të tejzgjatura.

Mësohet se gjatë reshjeve ka pasur shumë zona që kanë mbetur pa energji elektrike.

Po ashtu ka pasur përmbytje në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku uji ka hyrë në shtëpi në lartësi gati 1 metër.

Më tej banorët shprehën shqetësimin e tyre duke thënë se nuk u ndezën hidrovorët, pas reshjeve intensive që ranë.

Ndërkaq, sipas drejtori i Bordit të Kullimit Durrës Ali Karaj, ka munguar energjia elektrike për 11 orë e gjysmë (ora 23 e datës 16 qershor deri ora 10,30 e 17 qershorit 2014), gjë që ka ndikuar në mosfunksionimin e hidrovorëve.

Z. Karaj u tregua i rezervuar për informacione, pasi, sipas tij, e kishte të ndaluar (?!) të komunikonte me mediet, duke na drejtuar te Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave apo te zyra e Prefektit të Qarkut.

Fotot: mirësjellje e Mark Brungës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/