Durrës, 11 korrik 2014 – Policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy drejtues mjetesh, të përfshirë në një aksident rrugor, që për pak ka rrezikuar të kthehet në tragjik për një familje të re.

Burime policore konfirmojnë se po procedojnë penalisht 58 vjeçarin J.Ç. dhe 29 vjeçarin E.L., të dy nga Durrësi.

Dy shtetasit në fjalë kanë qenë duke udhëtuar me mjetet respektive, kur janë përplasur rreth orës 21.15, në rrugën “Hysen Kërtusha” në Durrës.

58 vjeçari J.Ç. ka qenë duke drejtuar mjetin Benz me targa AA 949 CZ, kur është përplasur me motoçikletën tip “Dajang”, të drejtuar nga 29 vjeçari. I riu kishte pasagjer në motorçikletë bashkëshorten e tij D.L., 28 vjeçe dhe djalin F.L., 2 vjeç.

Fatmirësisht gruaja dhe djali i mitur kanë marrë plagë të lehta dhe ndodhen në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.

Për dy drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksident rëndojnë akuzat respektivisht “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” në ngarkim të shtetasit J.Ç., dhe “Drejtim mjeti pa dëshmi” në ngarkim të shtetasit E.L.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/