Durrës, 5 gusht 2014 – Si pasojë e përplasjes së një automjeti me një motor, ka përfunduar në reanimacion drejtuesi i motorit, i cili është lënduar rëndë nga aksidenti automobilistik.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 16:30 në fshatin Radë, në Durrës. Burime nga policia e qytetit bregdetar bënë me dije se në pranga ka rënë drejtuesi i mjetit tip Audi me targa AA 527 HC, Arben Istrefi.
28 vjeçari Istrefi, banues në Hamallaj, është përplasur me motorçikletën tip “Yamaha”, pa targa që drejtohej nga bashkëfshatari i tij, 52 vjeçari V.D.
I plagosuri është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale ndodhet i shtruar në reanimacion.
Policia ka arrestuar Istrefin, i cili akuzohet për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”. Materialet për këtë shtetas i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





