Prej tri ditësh, në rrugën “Pavarësia”, në Plazhin e Durrësit, janë vënë re mjete të rënda e punëtorë, të cilët kanë bërë rrethimin e trotuarve dhe shkuljen e bordurave anës troturareve dhe rrugës së destinuar për biçikletat. Poshtë këmbëve të urës është vendosur një tabelë ku thuhet se ky është projekti për rehabilitmin e të dy anëve rrugës “Pavarësia” dhe sistemimet e rrugëve dalëse në plazh.

Sipas tabelës së vendosur, projektues është Erald-G shpk, zbatuese e projektit është firma BEAN shpk dhe investitori është Bashkia e Durrësit. Sipas kësaj tabele, punimet kanë nisur në 24 nëntor 2015 dhe bëhen falas. Këtu mungon fondi i përcaktuar për këtë investim, që nuk i është tharë akoma boja e inagurimit të projektit të korsisë së biçikletave.

170 milionë lekë taksa të qytetarëve durrsakë shkuan për korsinë e biçikletave në këtë rrugë, në investimin e nisur në 2014, ndërsa në 2016 investitori duhet të tregohej më shumë serioz e më pak qesharak me paratë e qytetarëve. Së paku, duhet të vendoste vlerën në tabelë, se sa po u kushton durrsakëve ky investim i ri, apo ka dalë ndonjë donator dhe kryen invesime për bamirësi qytetarëve.

DurrësLajm do të vijojë të ndjekë këtë problematikë edhe në ditët në vijim, për të parë ku shkojnë paratë që mblidhen nga taksat e qytetarëve dhe të biznesit.

K. H.