Paraditen e sotme janë përuruar ambientet e reja të shkollës për fëmijët me aftësi të kufizuar, e rikonstruktuar me fondet e Bashkisë së Durrësit si dhe është pajisur me mjete didaktike dhe orendi e pajisje të reja si dhe një mjet të ri transporti special për këtë kategori fëmijësh.
Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit i ka në përparësi të gjithë shtresat në nevojë dhe mbështetja për këtë shkollë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë maksimale. Ndërsa drejtoresha e kësaj shkolle, Arta Çerçizi u shpreh se në sajë të këtij investimi kushtet në këtë shkollë janë tashmë optimale.
Rikonstruksioni i shkollës është kryer nga fondet e Bashkisë së Durrësit me vlerë 12.538.914 lekë ndërkohë që është blerë edhe një mjet i ri transporti për fëmijët në vlerën e 2.640.000 lekë. Gjithashtu është bërë paisja e shkollës edhe me orendi e pajisje të reja në vlerën e 11 milionë lekëve.
Po kështu bashkia e Durrësit është e angazhuar në plotësimin e kërkesave gjatë gjithë vitit për këta fëmijë duke financuar në mjete didaktike me vlerë 120 mijë lekë në vit, lojëra për fëmijë në vlerën e 120 mijë lekë në vit dhe kostume sportive, atlete e veshmbathje në vlerën e 780 mijë lekë në vit.
Kjo shkollë ka 102 nxënës dhe 22 mësues si dhe 5 persona që janë personel shërbimi. Çdo fëmijë dhe mësues i kësaj shkolle trajtohet me kuotë ushqimore që financohet nga Bashkia e Durrësit në vlerën e 3 milionë lekëve në vit.
Në fund të ceremonisë nxënësit e kësaj shkolle kishin përgatitur edhe një festë të veçantë me rastin e festave të fundvitit ku kryebashkiaku Dako u ka shpërndarë fëmijëve dhuratat me lojëra të ndryshme.





