DURRES – U inaguruan sot në portin e Durrësit ambientet e njësisë së përbashkët të kontrollit të kontenierëve. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë drejtues të ministrisë së brendshme, drejtorisë së përgjithshme të policisë si dhe ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper, si përfaqësuese e vendit që financoi këtë projekt.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast ministri i Brendshëm Flamur Noka, theksoi se kjo njësi e përbashkët kontrolli mbetet një nga pjesët më të rëndësishme në luftën kundër trafiqeve të paligjshme. “Implementimi i saj do të mundësojë tolerancë zero ndaj këtij fenomeni”,- tha ministri Noka.
Nëpërmjet këtij investimi synohet rritja e nivelit të sigurisë së transportit të konteneirëve, pasi vitet e fundit volumi i konteneirëve të përpunuar në portin e Durrësit është rritur ndjeshëm. 90% e këtij transporti realizohet në rrugë detare; për këtë arsye është e domosdoshme forcimi i masave të sigurisë për të garantuar transport të sigurt dhe parandalim të trafiqeve të paligjshme.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të doganave, Flamur Gjymyshka, “investimi i realizuar me financimin e palës gjermane do të shërbejë për koordinimin e punës me portet e tjera doganore duke shmangur trafiqet e paligjshme, metodat e të cilave sofistikohen çdo ditë e më shumë”.
Ndërkohë ambasadorja gjermane Carola Müller-Holtkemper gjatë fjalës së saj nënvizoi faktin se “investimi i këtij projekti është mjaft i rëndësishëm për luftën kundër trafikimit të paligjshëm, pasi siç dihet trafiku i heroinës nga Afganistani në vendet e Ballkanit ka qenë fenomen shqetësues. Vënia në zbatim e këtij projekti synon rritjen e parametrave të sigurisë së kufijve”. Gjithashtu gjatë fjalës së saj në ceremoni ambasadorja gjermane shpjegoi arsyet e ndërprerjes së vizitës në Shqipëri të ministrit të jashtëm gjerman, i cili ka kaluar këto ditë një fatkeqësi familjare.
Investimi për ambientet e njësisë së përbashkët të kontrollit të kontenierëve kap vlerën 100 mijë dollarëve dhe është i financuar nga qeveria gjermane. Ky investim, aktualisht është në fazën e implementimit. Kjo njësi do të funksionojë si tre sektorë të veçantë, polici, doganë dhe zyrë e antitrafiqeve.
Brenda shumës prej 100 mijë dollarë përfshihet rikonstruksioni i godinës, trajnimi i oficerëve dhe blerja e aparaturave. Porti i Durrësit bën pjesë ndër 17 portet e përzgjedhura për këtë projekt në të gjithë botën, falë infrastrukturës së nevojshme dhe kushteve shumë të mira të përpunimit të mallrave.





