• 333 mijë euro për 9 klasa, 2 grupe kopshti, bibliotekë dhe laborator informatike

• Të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, ambasadori i shtetit të Kuvajtit në Shqipëri Najieeb Al Bader etj.

DURRËS, 10 shkurt 2015 –  Të martën, më 10 shkurt 2015, u përurua shkolla 9-vjeçare “Kuvajt” në fshatin Hardhishtë të komunës Gjepalaj, investim i qeverisë kuvajtiane. Ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, ambasadori i shtetit të Kuvajtit në Shqipëri Najieeb Al Bader, Prefekti i qarkut Rolant Xhelilaj, kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, drejtorja e Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës Linditë Mukaj etj.

Mes të tjerash, kryeparlamentari Ilir Meta tha:

“Tani fëmijët e këtij komunitetit do të kenë mundësi të mësojnë në kushte shumë më të mira. Një shkollë moderne, e standardeve më të larta evropiane, gjë do të thotë se fëmijët e Hardhishtës do të fillojnë që të mësojnë në kushte shumë më të mira, por gjë që do të thotë se tani duam rezultate edhe më të larta në mënyrë, që ta keni më të lehtë për të përballuar sfidat në të ardhmen tuaj dhe për ta bërë edhe më të bukur Hardhishtën, Gjepalajn, Durrësin dhe të gjithë Shqipërinë.

Dua të falënderoj nga zemra shtetin vëlla të Kuvajtit, Emirin e Kuvajtit, qeverinë e Kuvajtit dhe në veçanti ambasadorin e Kuvajtit, Shkëlqesinë e Tij, z. Najieeb Al Bader për këtë dhuratë të mrekullueshme dhe të çmuar që i kanë bërë komunitetit tuaj, që i kanë bërë fëmijëve, por edhe prindërve të tyre, që i kanë bërë edhe mësuesve. I jemi shumë mirënjohës Kuvajtit për ndihmën dhe për mbështetjen që jep jo vetëm për këtë shkollë të mrekullueshme që inaugurojmë sot, por dhe për shumë vepra të tjera anembanë Shqipërisë.

Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera dhe vepra të tilla ndihmojnë për të forcuar akoma më tej ndjenjat vëllazërore midis dy vendeve dhe dy popujve, dhe jam i bindur që këta fëmijë nga dita e sotme do të ruajnë në zemrën e tyre një mirënjohje të veçantë për Kuvajtin”.

Ambasadori i Kuvajtit në Tiranë Najieeb Al Bader theksoi:

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu midis jush sot për përurimin e kësaj shkolle, që për ne do të thotë shumë. Ky me të vërtetë është një bashkëpunim i mëtejshëm midis Shqipërisë dhe Kuvajtit dhe përurimi, sidomos në këtë muaj, në muajin shkurt, vjen pikërisht në kuadër të festimeve në shtetin e Kuvajtit që janë festimet për pavarësinë e çlirimin e Shtetit të Kuvajtit”.

Kryetari i komunës Gjepalaj Ardian Kokomani (përfaqësues i LSI-së) falënderoi për investimin që shteti i Kuvajtit bëri për ndërtimin e shkollës së re dhe se këshilli i komunës kishte marrë vendimin për ta shpallur ambasadorin Najieeb Al Bader “Qytetar Nderi”, duke i dorëzuar edhe dekoratën e komunës.

Vlera e investimit për ndërtimin e shkollës ka kapur vlerën e 333 mijë eurove. Ndërtimi është bërë për 6 muaj dhe përfshin 9 klasa mësimore, të cilat funksionojnë që nga klasa e parë deri në klasën e nëntë si edhe dy grupe kopshti. Krahas kësaj, në shkollë është ndërtuar një bibliotekë si edhe një laborator informatike.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/