Durrës, 20 mars 2014 – Një peshkarexhë me katër peshkatarë në bord ka lëshuar sinjalin SOS mëngjesin e sotëm në Kapitenerinë e Portit të Durrësit. Peshkarexha ka kërkuar ndihmë kur ndodhej rreth 30 milje larg brigjeve të Durrësit. Peshkarexha kishte pësuar avari dhe kishte nisur të fuste ujë duke rrezikuar të mbytej. Mësohet se mjeti lundrues kishte dalë si zakonisht për gjueti peshku, kur është përballur me defekte teknike shumë milje larg bregut. Ekuipazhi i saj prej 4 personash është shpëtuar nga mjetet e Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza.

Ndërkohë është mbytur në ujërat ndërkombëtare, peshkarexha shqiptare “Keterini” që lëshoi sinjalin S.O.S mëngjesin e sotëm. Mësohet se peshkarexha kishte dalë për gjueti dy ditë më parë. Edhe pse për disa orë forcat bregdetare u angazhuan në procesin e tharrjes për ruajtjen e lundrueshmerisë së mjetit, anija u fundos si rezultat i çarjes së madhe që kishte marrë në bord, rreth orës 12:00, 18 milje larg nga bregu. Qendra Nderinstitucionale Operacionale Detare bën me dije se zona është nën vëzhgim për ndotje të mundshme detare si rezultat i rrjedhjes se naftës dhe vajit, që deri tani nuk ka rezulton të ketë shenjë të ndotjes. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/