Kapiti: Gjendja e mjeruar, nuk investohet prej vitesh
DURRES, 5 korrik 2013 – Prej disa muajsh flotilja e peshkimit në Durrës ndodhet thuajse në prag të falimentimit. Nga 180 anije peshkimi që numëron flota, 95 prej tyre prej muajsh nuk kanë dalë në det të hapur për gjueti.
Kryetari i sindikatës së peshkimit në Durrës, Klodjan Kapiti, pohon se dy janë arsyet e degradimit të këtij sektori mjaft të rëndësishëm, i cili ndikon jo vetëm në punësimin e personave, por edhe në rritjen e ekonomisë së vendit.
"Mungesa e një kantieri detar për riparimin e mjeteve të peshkimit, por edhe çmimi i naftës, ka bërë që shumica e peshkarexhave të mos dalin për të ushtruar aktivitetin e tyre prej muajësh", ka deklaruar Kapiti.
Sipas Kapitit, pjesa më e madhe e anijeve që ka flota e peshkimit nuk plotësojnë standartet për të kaluar ujërat ndërkombëtar, çka ka penalizuar furnizimin e tyre me karburant në vendet e rajonit.
"Pjesa më e madhe e anijeve të peshkimit kanë pësuar defekte teknike dhe nuk janë në gjendje pune. Mungesa e një kantieri detar në Durrës, por edhe kostoja e madhe e riparimit të tyre në një kantier jashtë këtij qyteti, e ka penalizuar rëndë këtë industri mjaft të rëndësishme", thekson kreu i sindikatës së peshkimit.
Ndërkohë, Kapiti tregon se mungesa e një kantieri detar, bën që anijet mos t'i nështrohet kontrollit teknik çdo vit, ashtu sikurse kërkohet për mjetet lundruese prej druri. Situata në të cilën ndodhet industria e peshkimit, ku më shumë se gjysma e flotiljes nuk del në det të hapur për gjueti, në këtë sezon turistik ka ndikuar edhe në furnizimin e tregut me peshk të freskët.
"Sezoni turistik rrit kërkesën e prodhimeve të detit të freskëta dhe, nga ana e sektorit të peshkimit është e pamundur përballimi i kërkesës së tregut për furnizim, çka bën që në vendin tonë të futet dhe peshk i importuar", tregon Kapiti.
E ndërsa shpreson se problemet që ka sektori i peshkimit të marrin një zgjidhje sa më të shpejtë me qeverinë e re, Kapiti thekson se hapja e një dege për sektorin e peshkimit, sikurse ka qenë para viteve 90, do të ishte mjaft i rëndësishëm, për shkak se janë të pakët personat që kanë dijeni mbi profesionin e peshkatarit apo edhe të mirëmbajtjes së anijeve të peshkimit.
Peshkimi është mënyra e sigurimit të jetesës për mijëra familje në qytetin bregdetar dhe jo vetëm, ndaj ndërtimi i portit të ri të peshkimit pritet që të ndryshojë kushtet e punës për peshkatarët. Aktualisht flota e peshkimit në Durrës përbëhet nga 180 anije peshkimi, por më pak se gjysma e tyre janë në gjendje pune.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





