Një koncert recital në piano për të gjithë artdashësit durrsakë, para nisjes së një kapitulli të ri në jetën e saj.
Pianistja e re dhe mjaft e talentuar Kristel Karagjozi ishte mbrëmjen e së mërkurës protagonistja absolute në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Pas përmbylljes së studimeve në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” dhe para nisjes së studimeve të larta në Austri, Kristeli kishte përzgjedhur këtë koncert si një formë përshëndetjeje me publikun e saj.
Për të piano ka qenë dhe mbetet pasioni i jetës.
“Unë e kam nisur pianon që 7 vjeçe. Ka qenë një dëshirë e madhe e imja dhe e familjes sime. Më ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit tim dhe do të vazhdojë të më shoqërojë gjithmonë”.
Me një repertor mjaft të përzgjedhur nga disa nga kompozitorët më të mëdhenj të muzikës klasike si Sibelius, Bach, Schubert, Prokofiev etj, ajo rrëmbeu duartrokitjet e publikut pas çdo performance.
Për mësuesen e saj, Linda Zemblaku Kristeli është një talent dhe këtë e ka vërtetuar jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato botërore.
“Çfarëdo që të thuash për Kristelin është pak. Është një fëmijë i mrekullueshëm. Në radhë të parë për mua ka rëndësi edukata. Është një kënaqësi e madhe të punosh me të. Gjithnjë ka qenë me rezultate të shkëlqyera, kudo ku kemi shkuar. Sa herë që kemi shkuar jashtë për koncerte, në Spanjë, Portugali, Austri etj, Kristeli gjithnjë ka shkëlqyer. “
Pas sukseseve të njëpasnjëshme dhe çmimeve të para dhe të platinta në Moskë, Toronto, Montreal etj Kristel është gati për të nisur rrugëtimin e saj jashtë Shqipërisë. Por rikthimi mbetet gjithnjë një opsion i hapur.
“Është ajo shprehja “Kurrë mos thuaj kurrë!” E kam menduar që pse jo të vi këtej të jap diçka për vendin tim, por çdo gjë do t’ia lëmë kohës. Asnjëherë nuk i dihet si rrjedh jeta”.
Një nga momentet më të bukura të mbrëmjes ishte performanca e Kristel Karagjozi krahas mësueses Linda Zemblaku dhe vajzës së saj Xheni Turku.
M.B.