Moti nuk kishte dallgë, ndoshta i ka përplasur ndonjë mjet tjetër lundrues, s’kishte asnjë mundësi që varka të përmbysej
Nga Klodianë Haxhiaj*
DURRËS, 28 nëntor 2013 – Morti ka rënë në familjet e dy peshkatarëve kryefamiljarë të mbytur mbrëmjen e së mërkurës në bregdetin e Adriatikut. Banesat e tyre, që shprehin varfërinë e tejskajshme, situatën e rëndë ekonomike në të cilën lanë pas shtatë fëmijët e tyre, presin e përcjellin shumë njerëz që mbërrijnë për ngushëllim. Mbytja e tyre është mbështjellë me shumë mister, sipas shokëve e kolegëve të tyre. “Policia duhet të hetojë, si u mbytën, sepse dolën vetëm për të hedhur rrjetat, moti nuk kishte dallgë, pritën sa të qetësohej deti, dhe më pas morën varkën dhe hynë. Ndoshta i ka përplasur ndonjë mjet tjetër lundrues, nuk e dimë, por s’kishte asnjë mundësi që varka të përmbysej”, deklaroi Krenar Iljazi i fundit person që i ka takuar para se të hynin në det.
INTERVISTA
Krenar, si ndodhi që u nisën në det?
Pasdite ne i rregulluam rrjetat së bashku, i ndihmova, i bëmë gati, i hodhëm në barkë. Qëndrojmë të gjithë këtu te sektori “Apolonia”. Deti u qetësua, ra dallgëzimi dhe era. Morën barkën rreth orës 5 e 30 dhe do të shkonin të hidhnin rrjetat deri ku qëndron trageti. Më pas do të ktheheshin, se sot në mëngjes do t’i mblidhnin rrjetat, nëse do kishin kapur gjë apo jo. U vonuan shumë. Kur nuk po vinin familjet e tyre, u alarmuan.
Po më pas?
Më pas lajmëruam policinë. Ata nisën kërkimet. Mendonim se mos era i ka çuar nga zona e Golemit, por andej nuk u duk asnjë gjurmë. Në mbrëmje para mesnate u gjet i mbytur Ndue Gjoka baba i tre fëmijëve. Tani në drekë mësuam që u gjet edhe Ramë Metalia, prind i katër fëmijëve. Tragjedi e madhe sepse ata punonin që ushqeheshin fëmijët e tyre.
Është fitimprurës aktiviteti i gjuetisë?
Është lek gjaku. E di që të dy ata jetojnë në kabina plazhi. Ndue Gjola jeton tek ish-kabinat e “Vaporit”, i pastrehë. Edhe kabinën Ndues ia ka dhënë motra e gruas së tij. Në mjerim e skamje jetojnë. Sepse fitojnë apo jo 5 mijë lekë të vjetër në ditë, vetëm sa për të blerë bukë. Edhe Rama po njësoj.
Ju thoni që ishte mot i mirë. Si mund të jenë mbytur?
Nuk mund ta them me saktësi se askush nuk e di. Por ndoshta i ka qëlluar ndonjë mjet tjetër, a janë përplasur nuk di se si. Uji ka qenë shumë i ftohtë dhe nuk kanë mundur të mbijetojnë. Peshkatarët durrsakë në dimër përballen me rrezikun në sy. Ikin e nuk dihet a kthehen më në shtëpi te fëmijët.
SFONDI
Peshkatarët Ndue Gjoka dhe Ram Metalia u nisën në orën 17:30 të pasdites së të mërkurës me një barkë për të hedhur rrjetat nga zona Apolonia e plazhit të Durrësit. Në 8 të mbrëmjes të afërmit dhanë alarmin se ata nuk ishin kthyer dhe kishin humbur kontaktet me familjarët. Policia kufitare dhe Guardia di Finanza ndërmorën një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi (në foto gjatë operacionit, marrë nga filmimet e Tv “AdriaNet” Durrës). Pak para mesnate, një milje larg prej portit, u gjet e përmbysur barka e peshkimit, 50 metra më larg u gjet trupi i pajetë i peshkatarit Ndue Gjoka. Kërkimet që nuk reshtën përgjatë gjithë natës dhe paradites konkluduan me gjetjen e trupit të dytë. Peshkatari i dytë Ram Metalia u gjet rreth orës 10 e 45 në zonën e Currilave, 0,5 milje larg marinës së jahteve me pronar gjerman. Policia po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të mbytjes së tyre. Dyshohet se ata mund të jenë përplasur nga ndonjë mjet tjetër, ose mund të jenë përplasur me bovat sinjalizuese në kanalin hyrës të portit. * Korrespondente për Durrësin e televizionit “News 24” dhe e së përditshmes “Gazeta shqiptare”. Shkrimi i është dërguar “Dyrrah”-ut nga autorja. Fotot: mirësjellje e korrespodentit për Durrësin i gazetës “Shekulli” Mark Brunga/
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





