Piktori i njohur durrsak Ardian Tragaj ka hapur ekspozitën e radhës “Plutokratët në panik” me 30 piktura të reja, të realizuara përgjatë vitit të fundit.
Me tablotë e reja dhe një instalacion, Tragaj solli për artdashësit durrsakë, por edhe shumë miq nga Kosova që kishin udhëtuar për të qenë të pranishëm në çeljen e ekspozitës, botën e tij të trazuar shpirtërore, rebelimin e njeriut ndaj shoqërisë që shfaqej dukshëm në shumë nga portretet, shumë ndryshe nga ato që jemi mësuar zakonisht të shohim në ekspozita të tjera.
Kritiku i artit nga Kosova, Ilir Muharremi, deklaroi për “DurrësLajm” se pikturat e Tragajt tregojnë realitetin e individit dhe sfidën e tij me shoqërinë që e rrethon.
Ndërsa piktori nga Kosova Jetullah Latifi gjatë fjalës së rastit vuri theksin në ndikimin që duhet të ketë arti në shoqërinë tonë.
Kjo është e disata ekspozitë që piktori Tragaj hap në qytetin bregdetar gjatë viteve të fundit. Prej rreth 2 dekadash ai është anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve.