DURRËS, 16 gusht 2013 – Piktori beratas Agron Polovina ka përuruar në Durrës ekspozitën e fundit me peizazhe nga vendi ynë dhe Ballkani. 30 punimet e paraqitura janë pjesë e ciklit prej 120 tablosh të autorit, i cili për tre vite radhazi ka hulumtuar peizazhe ballkanike dhe shqiptare, veçanërisht. Ato janë punuar në teknikën e vajit mbi kanavacë. Në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit bregdetar dhjetëra të ftuar, kolegë dhe artistë të tjerë vlerësuan peizazhet plot dritë nga Berati dhe lagjet karakteristike të “qytetit të njëmbinjë dritareve”, si dhe nga Librazhdi, Prizreni, Durrësi, etj. Gjatë këtyre viteve Polovina ka pasur një krijimtari të dendur, ku shquhen grafikat, kompozimet, peizazhet dhe natyrat e qeta, ndërkohë që drejton galerinë e arteve “Edward Lear” të Beratit. Ka hapur ekspozitat vetjake në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Durrës, etj. si dhe nw Lion (Francë), Romë e Firence (Itali), Janinë (Greqi), Shkup (Maqedoni), etj.

/g. k. red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/