28 korrik 2015 – Qeveria zgjidhi xhepin për rehabilitimin e pishinës publike “Taq Dafa” në qytetin e Durrësit, projekt me ndikim të gjerë publik. Pishina e re do t’u shërbejë, jo vetëm frekuentuesve, por edhe përmirësimit të imazhit të zonës ku është vendosur. E ndodhur pranë shëtitores “Taulantia”dhe një sërë godinave me funksion social, edukativ e shoqëror, si muzeu arkeologjik, kisha, shkolla etj, pishina e rikonstruktuar do të jetë objekt me ndikim të madh të përmirësimin e imazhit të qytetit. Ndërhyrjet që po bëhen në të, shoqërohen me rigjallërimin e hapësirave përreth, me elemente të mobilimit urban.
Pishina e përfunduar do të ofrojë një mundësi të mirë për trajnimin dhe formimin profesional të notarëve të qytetit. Projekti i financuar nga Ministria e Zhvillimit Urban ka një vlerë prej 35 milionë lekësh. Durrësi do të ketë një pishinë verore moderne me përmasa olimpike, punimet për të cilën tashmë janë në kulmin e tyre. Do të jetë pishinë olimpike me standarde bashkëkohore, e cila i mungonte prej 20 vitesh qytetit, një qyteti me traditë në sportin e notit. Në Durrës për çdo vit në muajin shtator zhvillohej kampionati kombëtar i notit.
Projekti do të kalojë në dy faza. E para parashikon ngritjen e impiantit të ri të ujit, përfshi sistemin e filtrimit të ujit, veshjen e pishinës, vendosjen e starterave, ndarjen e korsive, rindërtimin e shkallëve për shikuesit, sistemimin e territorit të brendshëm të pishinës me pllaka guri etj. Ndërsa në fazën e dytë do të vendosen stolat plastikë, do të përfundojnë dhomat e zhveshjes, rrethimi i jashtëm etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/