4 gusht 2015 – Dega rajonale e qarkut e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) i bëri të ditur “Dyrrah”-ut se gjatë korrikut 2015 ka kontrolluar 8 pishina private.
RESORTI
ISHSH-ja thotë se i ka vënë një gjobë të rëndë, 500 mijë lekë (mbi 3 500 euro), resortit të njohur “Tropikal” në Plazh për gjendjen e pishinës më të madhe në vend. Sipas të njëjtit burim, në këtë pishinë kishte kushte të këqija higjienike-sanitare në tualetet; nuk ka persona përgjegjës për pishinën; nuk ka persona që të merren me impiantin teknologjik; nuk janë të afishuar numrat e urgjencave që mund t’u nevojiten klientëve etj.
FAST-FOODET
Janë vendosur 12 masa me gjoba 50 mijë lekëshe për fast-foodet në qytet dhe plazh, për mos respektim të kushteve higjienike-sanitare, si dhe për 3 restorante në plazh për papastërti të mjeteve vetjake dhe të punës. 4 lokale, për mungesë dokumentacioni dhe moszbatim të detyrave nga ISSH-ja janë ndëshkuar secili me nga 200 mijë lekë.
AKULLI USHQIMOR
Sipas një njoftimi për shtyp, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), duke filluar që nga data 13 korrik 2015, po kryen inspektimin e subjekteve prodhuese, ruajtëse dhe shpërndarëse të akullit nëpër të gjitha qarqet e vendit.
Gjetjet për mostrat pozitive dhe masat përkatëse administrative të inspektimit të kryer nga degët e ISHSH në Durrës ndaj bar-restoranteve “Majestic”, “Bel Conte” dhe “Espagna”, u vendos pezullimi i tyre me masë administrative 500 000 lekë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





