Pas krimit të rëndë që u shënua në një familje të Tiranës pasditen e djeshme, një tjetër ngjarje e rëndë raportohet në një familje të Durrësit.
Një 41-vjeçar nga Manza, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij me automatik duke e lënë të plagosur në gjendje të rëndë. Pas këtij akti, autori Mondi Gjoka ka vrarë veten.
E gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur në shtëpinë e viktimës pak pas mesnatës, rreth orës 00:20 në sy të 4 fëmijëve të mitur të çiftit, më e madhja e të cilëve është 13 vjeçe. Ndërkohë, gruaja 38-vjeçare Lumturije Gjoka ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.
Ngjarja
"Më datë 31.01.2016, rreth orës 23:45, në fshatin Manëz, Durrës,shtetasi Mondi Gjoka 41 vjeç, banues në Manëz, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri automatik, bashkëshorten e tij, Lumturije Gjoka, 38 vjeçe.
Për pasojë, shtetësja e mësipërme është plagosur, e cila ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Më pas, autori, rreth orës 00:20, është vetëvrarë me armën e zjarrit automatik, në banesën e tij", njofton policia e Durrësit.
Në vendin e ngjarjes, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan arma e zjarrit automatik model 56 dhe tre gëzhoja model 56 kalibër 7.62mm.
S.L.





