DURRËS, 24 qershor 2013 – Mesditën e sotme rreth orës 14.00 në afërsi të qendrës tregtare “BlueStar” në Durrës, janë plagosur me armë zjarri nga një person i paidentifikuar 2 shtetas.

Sipas njoftimit paraprak të policisë së Durrësit të plagosurit janë Agim Balla, rreth 53 vjeç dhe Gentian Mici, rreth 26 vjeç, banues të lagjes numër 13 plazh Durrës.

Gentian Mici është goditur me armë në këmbë nga personi i paidentifikuar, më pas është dërguar në spitalin e Durrësit dhe tashmë ndodhet  jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa Agim Balla ndodhet në sallën e operacionit dhe ende nuk kemi të dhëna nga ana e policisë mbi gjendjen e shëndetit të tij.

Nga hetimet paraprake rezulton se plagosja e dy shtetasve në fjalë është kryer në kohën kur një person i paidentifikuar i ka vjedhur me forcë çantën e dorës me të cilën transportonte drejt një filiali banke në Durrës një shumë parash, arkëtares së Parkut të Autobuzëve Durrës.

Në ndjekje të të riut janë vendosur disa persona të pranishëm në vendin e ngjarjes dhe ky i fundit, në vrap e sipër ka qëlluar një herë me armë zjarri në drejtim të tyre duke lënë të plagosur dy nga këta shtetas e konkretisht, Agim Ballën, rreth 53 vjeç dhe Gentian Micin, rreth 26 vjeç.

Nga ana e policisë po punohet për identifikimin e autorit të krimit dhe zbardhjen e motiveve të ngjarjes, grupi hetimor aktualisht po kryen veprimet e para në vendngjarje.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/