DURRES – Plagoset me kallashnikov një 29 vjeçar brenda një pike llotoje. Krismat e armës kanë tronditur qetësinë e banorëve të lagjes nr.1 të qytetit, pasi ngjarja e rëndë është regjistruar në një zonë të banuar. Policia e Durrësit bën të ditur se 29 vjeçari Denis Shtraza ka qenë i ulur në një lloto, në lagjen nr.1 të qytetit, së bashku me një shok të vetin, kur persona të paidentifikuar kanë qëlluar nga automjeti i tyre në drejtim të tij.
Pika e basteve sportive ishte shumë pranë rrugës dhe nga kjo gjë kanë përfituar agresorët, që kanë qëlluar me breshëri automatiku. 4 plumba e kanë kapur 29 vjeçarin në gjymtyrët e poshtme, ndërkohë që dy personat që shtinë në drejtim të tij janë larguar me të shpejtë me automjetin nga i cili kishin zbritur vetëm pak çaste më parë. Krismat e armëve kanë alarmuar banorët e lagjes, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Ndërkohë 29 vjeçari i plagosur është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka bërë të ditur se ngjarja e rëndë është regjistruar pak metra larg mureve antike të qytetit, brenda një pike bastesh sportive. Duket se autorët e krimit kanë qëlluar me breshëri, pasi në vendngjarje policia ka mbledhur më shumë se 20 gëzhoja plumbash. 29 vjeçari Shtraza nuk është i panjohur për forcat e rendit, pasi i riu me profesion peshkatar është dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.
Nisur nga këta precedentë policia i ka përqendruar hetimet në pistën e larjes së hesapeve, megjithëse nuk përjashton edhe pista të tjera. Hetimet janë përqendruar në të kaluarën e Shtrazës, nga e cila mund të dalin elementë që mund të hedhin dritë mbi autorët e krimit dhe arsyet që i shtynë ata të shkrehnin armën kundër tij.
Dëshmia e 29 vjeçarit pritet të ndihmojë policinë në hetime, sepse Shtraza mund t'i ketë njohur agresorët e tij. Por seanca e pyetjeve me të plagosurin do të realizohet vetëm pasi gjendja e tij shëndetësore të stabilizohet. Ndërkohë grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe shokun e Shtrazës dhe punonjësin e pikës së basteve. Gjithsesi burimet nga grupi hetimor tregohen të rezervuara në deklarata, pasi nuk duan të dekonspirojnë hetimet. Burime policore bëjnë të ditur se Shtraza është person me precedentë penalë, pasi më parë është dënuar për armëmbajtje pa leje, plagosje etj.





