Policia e Durrësit ka identifikuar tre persona të dyshuar për plagosjen me armë zjarri të personazhit të TikTok, Fabion Kuçi, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 15 dhjetorit, në një lokal në lagjen nr. 9.

Mësohet se blutë kanë shpallur në kërkim tre të rinjtë me iniciale A. N., 38 vjeç, banues në Durrës, F. B., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe B. Ç., 34 vjeç, banues në Durrës.

Sipas Policisë, autorët u afruan me dy automjete dhe qëlluan drejt tij, duke e lënë të dëmtuar lehtë.

Në vijim të hetimeve, ka nisur procedimi penal për një 31-vjeçar, pronar i njërit prej automjeteve të përdorura nga autorët, ndërsa në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar fishekë luftarak. Policia po vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Në vijim të informacionit të dhënë dje, mbi plagosjen me armë zjarri të shtetasit F. K., sqarojmë se si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, të kryera me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. N., 38 vjeç, banues në Durrës, F. B., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe B. Ç., 34 vjeç, banues në Durrës.

Nga këto veprime dyshohet se këta 3 shtetas, rreth orës 23:45 të datës 15.12.2025, janë afruar me 2 automjete, te lokali në lagjen nr. 9, ku qëndronte shtetasi F. K., dhe kanë qëlluar drejt tij me armë zjarri. Si pasojë, shtetasi F. K. është dëmtuar lehtë.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. B., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se është pronar i njërit prej automjeteve me të cilat u afruan në vendngjarje shtetasit e shpallur në kërkim. Nga kontrolli në banesën e 31-vjeçarit, u gjetën disa fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Punohet intensivisht për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.