DURRËS, 2 shkurt 2015 –  Me sa duket, dyshja Basha-Berisha ka një plan “B” për të marrë superbashkinë e Durrësit. Pas shoshitjes së kandidaturave që do të dërgojë selia e PD-së bregdetare, nuk përjashtohet lëvizja e madhe surprizë, që quhet Oerd Bylykbashi.

Vetofrimi i deputetit republikan, biznesmenit Agron Duka si kandidat i së djathtës në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, vazhdon të ketë jehonë në mjedisin politik shqiptar, por sidomos ka turbulluar ujërat në strukturat vendore të opozitës në Durrës. Ka një segment në degën e PD-së bregdetare që e ka nxitur, për pasojë, e ka brohoritur hyrjen e parakohshme në valle të ish-prefektit dhe deputetit të majtë. Por ky segment pragmatist nuk ka përllogaritur tërësinë e anëtarësisë blu, që të “len pushkën në faqe”, sikurse bëri në zgjedhjet e mëparshme me Ferdinand Xhaferrajn. Nga ana tjetër, shpresohet nga Duka dhe fansat e tij në PD se mund të unifikohen kështu të gjitha rrymat / grupet / fraksionet.

Por “nuk dihet se ç’bluan në kokë selia qendrore në Tiranë, sidomos ish-kryetari Sali Berisha”, i tha “Dyrrah”-ut të hënën, më 2 shkurt 2015, një nga krerët e degës, që nuk dëshironte të përmendej për shkak të karakterit delikat të gjendjes. Gjithsesi, burimi i “durreslajm.com” mendon se dyshja Basha-Berisha mund të propozojë një figurë të profilit të lartë në politikën shqiptare, sikurse është deputeti Oerd Bylykbashi. Kjo do të ishte një sakrificë për SHQUP-in, pasi juristi Bylykbashi, me përvojë pranë kabinetit Berisha, do të krijonte një zbrazësi në perfomancën e opozitës. Bylykbashi i jep PD-së seriozitet, gjë që vërehet dhe në konsideratën që ka për të shumica qeverisëse, e cila sillet me maturi përballë tij. Por deri para pak kohësh, në rrethet e tij shoqërore, Bylykbashi e ka thënë se nuk ka ndërmend t’i futet kësaj aventure. Por në politikë nuk thuhet asnjëherë kurrë. 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/