Durrës, 30 prill 2014 – Ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti policia e Durrësit reklamoi si arritje faktin se në periudhën janar – mars nuk ishte vjedhur asnjë automjet në rang qarku, vetëm gjatë muajit prill në qytetin e Durrësit janë regjistruar 5 denoncime nga qytetarë të ndryshëm për vjedhje automjeti.
Automjetet e tipit Benz mbeten më të preferuarat për hajdutët e makinave, sepse 4 të tilla janë vjedhur përgjatë këtij muaji, ndërkohë që një tjetër automjet i përket markës Fiat Punto.
2 automjete Benz janë vjedhur në 72 orët e fundit në qytet, ndërkohë që 4 të tillë janë vjedhur në harkun kohor të 10 ditëve të fundit. Në datë 26 prill, një 27 vjeçar nga Tirana denoncoi vjedhjen e makinës së tij tip Benz me targa TR 3756 T, ndërsa e kishte parkuar pranë korpusit universitar “Aleksandër Moisiu”, në zonën e Spitallës.
Ndërkohë rreth orës 14.45 të ditës së martë, në lagjen nr.1, një 24 vjeçar konstatoi vjedhjen e automjetit të tij, tip Benz me targa DR1925 D. Megjithëse denoncoi menjëherë vjedhjen e makinës, efektivët e rendit ende nuk kanë mundur të bien në gjurmë të hajdutit apo automjetit.
Ndërkohë dy denoncime të tjera për vjedhje automjeti tip Benz janë bërë përgjatë këtij muaji nga dy qytetarë të tjerë. Njëra nga vjedhjet është regjistruar në lagjen nr.15, ku është vjedhur makina me targa DR 2889 D, ndërsa vjedhja tjetër e automjetit tip Benz me targa DR 9634 C ka ndodhur në datë 19 prill.
Vetëm një ditë pasi policia njoftoi shifrën 0 automjete të vjedhura në qark gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti, u regjistrua vjedhja e parë. Një banor i lagjes nr.14 denoncoi pranë komisariatit të policisë vjedhjen e automjetit të tij tip Fiat Punto me targa AA 914 EA.
Ndërsa gjatë tremujorit të parë të vitit 2013, u regjistruan 9 makina të vjedhura në shkallë qarku, vjedhja e 5 automjeteve brenda 30 ditëve të muajit prill të këtij viti, duhet të tingëllojë si këmbanë alarmi për policinë e Durrësit.
Në asnjë nga 5 rastet e denoncuara për vjedhje automjeti, policia nuk ka mundur të identifikojë hajdutët.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





